
Mesazh i ardhur në #TëPadërguarat me nënshkrimin: "Babait…"
I dashur babi,
Nuk di nga ta filloj këtë letër. E kam mbajtur brenda për shumë kohë. Kur isha më e vogël nuk dija si t’i jepja formë kësaj që ndieja. Sot di më shumë. Dhe kjo nuk e bën më të lehtë.
Ke qenë aty fizikisht në gjysmën e parë të jetës time, por emocionalisht nuk të kam ndier kurrë. Nuk mbaj mend të jem ndier e mbajtur, e parë, e rëndësishme. Ndoshta as ti nuk dije si. Ndoshta nuk dije si ishte të ishe baba. Nuk të vë faj, por mungesa jote ka lënë gjurmë.
Kur isha fëmijë, diçka brenda meje ishte gjithmonë e trazuar. Stomaku më shtrëngohej, trupi më dridhej, zemra më rrihte fort pa arsye. Nuk e dija çfarë ishin emocionet. Sot e di. Ishte dhimbje që nuk kishte ku të shkonte.
Pa e kuptuar, u rrita duke u mësuar me mungesën. Dhe më vonë, në çdo mashkull që afrohej, kërkoja të njëjtën gjë. Jo dashuri. Jo siguri. Por largësi. Prani që ikën. Heshtje. Këtë njihja. Kjo më dukej normale.
Kur dikush largohej, nuk pyesja pse iku. Pyesja çfarë kishte gabim tek unë. Ndihesha në faj. Sikur nuk kisha qenë mjaftueshëm. Sikur mungesa e tjetrit ishte prova që unë nuk vleja sa duhet.
Sot po përpiqem të ndryshoj. Po përpiqem të marr në dorë timonin e dashurisë sime, edhe pse ndonjëherë më duket e pamundur. Edhe pse kam frikë. Edhe pse jam lodhur duke u përplasur me të njëjtin boshllëk.
Sot po mësoj të dalloj mungesën nga dashuria. Po mësoj që ajo që më dhemb nuk është ajo që më plotëson. Po mësoj të mos e ngatërroj zakonin me dashurinë.
Ndiej shumë. Ndonjëherë aq shumë sa më dhemb të marr frymë. Kam një zemër të madhe dhe për këtë arsye jam lënduar shpesh. Sepse e vendos zemrën para arsyes dhe veten pas të gjithëve.
Dhe po, kjo lidhet me ty. Sepse ti ishe mashkulli i parë në jetën time. I pari që nuk m’u gjend pranë kur kisha nevojë. Dhe nuk flas për para. Flas për fjalën që nuk u tha, për praninë që mungoi, për sigurinë që nuk e pata.
Mes teje dhe mamit nuk funksionoi. Por pasojat e asaj mungese i mora edhe unë, edhe motra. Megjithatë, unë jam gjaku yt. Dhe do të të dua gjithmonë. Edhe me dhimbje. Edhe me boshllëk. Sepse je babi im dhe unë jam vajza jote.
Marrëdhënia jonë ka ndryshuar ndër vite. Ndoshta edhe ti ke ndryshuar. Unë shpresoj që po. Sepse një fëmijë nuk ka nevojë për prindër perfektë. Ka nevojë për prindër të pranishëm. Edhe nga larg. Edhe vonë.
Sot po zgjedh të jem pranë vetes sime, edhe aty ku ti nuk ishe.
#TëPadërguarat është një sektor në Anabel ku mund të shpreheni lirshëm për gjërat që doni t’ia thoni dikujt, por për 1001 arsye, nuk keni guximin/mundësinë t’ia thoni përballë. #TëPadërguarat janë fiks vendi ku mund të shkruash/gjesh emrin dhe mesazhin që të dedikohet ty.