
"Ti je e keqe, e di?"
Këtë “letër” po e shkruaj më shumë për veten se për ty. Po e shkruaj sepse ndoshta duke e thënë me shkrim që do të të harroj, do të manifestohet dhe do të kthehet në realitet e ndoshta në fund zemra do ta pranojë që nuk do kthehesh më.
Ti e di që të thosha “je e keqe”, por asnjëherë në kuptimin e parë të fjalës. E prapë, po në atë kuptim mbetesh e keqe. E keqe sepse s’po të harroj dot, e keqe sepse ike pa një përshëndetje të fundit, si gjithmonë, në heshtje, papritur, duke lënë pas boshllëkun e pritjes se mos ndoshta një ditë do kthehesh prapë, si gjithmonë, në heshtje…
Por, nuk po kthehesh më dhe unë duhet të bind veten të dal nga rutina e ikjeve dhe kthimeve të tua. Duhet të bind zemrën se sado të presë, nuk do ta tërheqë atë fijen e kuqe që na lidhte dikur duke të të njoftuar që po të mendoj. Duhet të bind trurin që, sado fort të mundohet mos të të harrojë nga frika se duke të harruar sado pak do të të humbasë përgjithmonë, sërish nuk do kthehesh.
E di, kam menduar gjatë për bisedat tona, për netët e gjata ku gjumit i thoshim “prit dhe pak, dhe një përqafim, dhe një puthje, dhe një fjalë…”. Kam menduar për zërin tënd, atë zë që më qetësonte gjithë zhurmën e ditës dhe zërat në kokë dhe më jepte një lumturi që as vetë s’e kuptoj pse. Kam menduar për sytë e tu, buzët e tua, hundën tënde, duart e tua… Kam menduar, do mundohem të mos mendoj më.
Por, s’e di pse për dreq, sa herë ndodhem përpara diçkaje që e kam folur me ty, sado e vogël dhe e parëndësishme të jetë, më kujtohesh sërish. Nuk po flas për filmat e tu, këngët e tua apo gjëra të tilla që do e bënin këdo të kujtohej për ty. Po flas për qëndrimin para sektorit të lëngjeve në supermarket duke kujtuar lëngun tënd të preferuar. Po flas për buzëqeshjen time sa herë shoh syze në vitrina dyqanesh pasi më kujtohet se s’i ajo hunda jote e vogël nuk i mbante dot. Po flas për mënyrën se si ti i thoshe disa fjalë, që për mua u bënë fjalët e preferuara. Po flas për dy shijet e tua të preferuara të akullores, për ngrënien e drithërave ose tostit në 01:00 të natës, për pozicionin tënd të gjumit (dhe të dorës)…
S’duhet të flas më për ty. Madje, ka një vit që nuk kaloj më nga “lagjja” jote. Ka një vit që kam hequr dorë nga çdo aktivitet që më lidhte me atë zonë. Ndoshta do kaloj sërish, e kur ta bëj, ndoshta prapë do të të mendoj, por ndoshta nuk do të më dhembë më. Nuk do të më dhembësh më. Por sot, vazhdon dhemb…
Nuk dua të të harroj, e di që s’do të të harroj ndonjëherë, thjesht dua mos më rëndojë më mungesa jote dhe mos të më peshojë më gjithë dashuria që kam për ty, që po më mbyt sepse s’kam ku tjetër ta çoj. Nuk dua të të harroj, dua vetëm të jesh e lumtur, pa mua, gjithmonë. E nëse takohemi në një tjetër jetë apo univers, shpresoj vetëm të më njohësh.
- Shkruar për Anabel nga një djalë anonim, për rubrikën “Untold Stories” – streha ku rrëfejmë ato çaste kur zemra kërkon të flasë, qoftë për të mirat, qoftë për të vështirat, për ndjesitë më të thella që nuk duam t’i mbajmë brenda. Nëse edhe ju dëshironi të ndani historinë tuaj, na shkruani në l[email protected].