
Po e themi që në fillim, për të qenë të korrekt deri në fund: Mateo, nga çfarë shohim në ekran, është një djalë i mirë. I qetë në përgjithësi, i sjellshëm në shumicën e herëve, i edukuar me ata që ka miq, pa agresivitet të dukshëm. Pikërisht kjo është arsyeja pse publiku e ka kaq të vështirë të bëjë një analizë të ftohtë të situatës së tij me Brikenën. Sepse kur përballë ke një djalë simpatik, me trup të formuar, buzëqeshje të këndshme dhe sy që “shkëlqejnë” (sy që, për hir të së vërtetës, kanë shkëlqyer njësoj edhe te “Kepi i Tundimeve” dhe “Për’puthen”), disa detaje të vogla, por të rëndësishme, kalojnë lehtësisht pa u vënë re.

Një nga justifikimet më të përdorura është ai i famshmi që artikuloi edhe opinionisti Arbër Hajdari: “ai foli për ish-raportin me Brikenën sepse u pyet”. Sikur pyetja të ishte një lloj detyrimi për të rrëfyer gjithçka që të vjen ndër mend. Por çdo përgjigje e Mateos ishte zgjedhje dhe këto zgjedhje nuk duken edhe aq rastësore, për sa kohë ai zgjodhi të fliste për një histori që nuk ishte dokumentuar kurrë askund, që nuk ekzistonte në internet, që nuk kishte asnjë foto, asnjë video, asnjë gjurmë publike.
Kjo histori ka një veçori interesante: sa herë hapet tema, ajo pasurohet. Fillimisht ishte “njihemi”. Pastaj u bë “jemi puthur”. Më pas kaloi në “familja e saj na ndaloi”. Dhe në fund u shndërrua në “ai ka ndjenja”. Problemi nuk është domosdoshmërisht nëse njëra nga këto është e vërtetë apo jo. Problemi është pse historia pasurohet me detaje gjithmonë kur ka audiencë. Dashuria që fle për katër vite dhe zgjohet vetëm kur ndizen kamerat dhe shfaqet Brikena në “Big Brother”, është vërtet dashuri e pastër, apo thjesht “dashuri televizive”?

Pastaj vjen pjesa e këmbënguljes, që publiku e ka marrë shumë për zemër. Vetëm se këtu lind pyetja: pse kjo këmbëngulje nuk ekzistoi katër vite më parë? Pse u mjaftua me një “jo” të supozuar dhe u tërhoq? Pse ndjenjat rishfaqen pikërisht në momentin kur Brikena është figurë televizive në një format të ndjekur masivisht?
Dhe nëse dikujt ende i ka mbetur ndonjë dyshim, mjafton të kujtojmë darkën, ku Brikena u shfaq dukshëm më e interesuar për kofshat e pulës sesa për Mateon. Dy njerëz që pretendohet se kanë folur me muaj, madje edhe 1 vit, dhe që në një darkë pyesin për shenjën e horoskopit dhe për numrin e motrave e vëllezërve, ose nuk kanë folur aq sa pretendohet, ose kanë folur, por midis tyre nuk ekzistuar kurrë ndonjë raport serioz.
Por pika më problematike është romantizimi i refuzimit. Brikena ka qenë e qartë, konsistente, e ftohtë në mënyrë korrekte dhe e prerë që nuk ka interes. Megjithatë, publiku zgjedh ta lexojë këtë si “ajo s’e kupton çfarë djali po humb”. Edhe fakti që Mateo i kërkoi ndjesë nënës së Brikënës u kthye në material për video romantike. Një gjest njerëzor, korrekt dhe i domosdoshëm, u interpretua si provë ndjenjash të thella, ndërkohë që ndjesa është minimumi etik dhe, mbi të gjitha, nuk e detyron askënd të përgjigjet me ndjenja.

Në këtë pikë, red flags në këtë histori nuk po quhen më red flags. Po quhen “keqkuptime”. Ose, edhe më bukur, “këmbëngulje”. Ja ku qëndrojnë disa prej tyre:
Së pari, mosrespektimi i vendimit të saj për të mos e bërë historinë publike. Një djalë që ka ndjenja dhe kupton se vajza nuk dëshiron ta bëjë publike një histori, normalisht e respekton këtë dhe e mbyll temën. Këtu, përkundrazi, historia u hap, u rikthye dhe u pasurua sa herë që kishte prime.
Së dyti, detajet intime që dalin vetëm nga njëra anë. Nëse një vajzë mohon puthjen, një djalë që e respekton do ta linte aty. Por këtu puthja u bë element kyç i rrëfimit, pavarësisht se pala tjetër nuk e konfirmon.
Së treti, zgjerimi i historisë në vend që të mbyllej. Kur një vajzë e thotë qartë që nuk dëshiron të vazhdojë, një djalë i interesuar ose e mbyll historinë, ose e mban private.

Së katërti, përfshirja e familjes së Brikenës pa pëlqim. Një djalë që ka ndjenja zakonisht përpiqet ta mbrojë vajzën nga ekspozimi i panevojshëm, sidomos kur bëhet fjalë për familjen.
Së pesti, pretendimi për ndjenja pa veprime konkrete jashtë kamerave. Ndjenjat nuk tregohen vetëm me fjali si “jemi njohur”, “jemi puthur” apo “nuk të shoh si vajzat e tjera këtu brenda”. Ato tregohen me veprime reale. Mungesa e tyre për vite me radhë e bën interesin e Mateos ndaj saj të duket, të paktën, i diskutueshëm.
Në fund të ditës, Mateo shfaqet si djalë i mirë. Kjo nuk mohohet. Por të jesh djalë i mirë nuk do të thotë që çdo veprim i yti është i padiskutueshëm, që nuk gabon, që çdo histori e jotja është automatikisht e vërtetë dhe, mbi të gjitha, që nuk mund të refuzohesh. Në këtë histori, problemi nuk është nëse ai ka ndjenja. Problemi është se ndjenjat e Mateos po trajtohen si argument i mjaftueshëm, ndërsa “jo”-ja e Brikenës si detaj i bezdisshëm që publiku (dhe qartazi edhe produksioni bashkë me opinionistët) zgjedh të mos e pranojë për hir të një narrative më romantike.
