
"Një ditë, ashtu pa kuptuar, do të shihemi në pasqyrë dhe do kuptojmë se shëmbëlltyra ynë do jetë përherë e më shumë si ai i mamasë sonë.
E di, të gjitha kemi menduar se do rritemi e mbase s’do bëjmë të njëjtat gjëra, ose të paktën disa prej tyre, por ja që nuk qenka kështu.
Do ta kuptojmë se po i përngjajmë mamave tona kur papritur fillojmë të thërrasim fëmijët tanë me të njëjtat shprehje si ajo. Kur gatuajmë “diçka të shpejtë” dhe e kuptojmë që po bëjmë pikërisht atë recetë që ajo na bënte kur ishim fëmijë. Kur na kap paniku pse fëmija ynë është vonuar, edhe pse kanë kaluar vetëm 5 minuta nga orari i zakonshëm.
Do ta kuptojmë kur fëmija t’i ketë ngulur sytë copës së byrekut në pjatën tonë dhe ne do shtiremi sikur s’kemi më uri.
Kur të fillojmë të ndiejmë faj për ndonjë veprim të fëmijës, edhe pse nuk kemi bërë asgjë keq. Kur duam të mbrojmë të gjithë, por harrojmë të kujdesemi për veten.
Do ta kuptojmë mamanë atë ditë kur dikush të na thotë: “Sa shumë i ngjan!” Dhe në fillim do të na duket e çuditshme, por pastaj do qeshim me veten.
Sepse po, një ditë, të gjitha bëhemi si mamaja jonë. Ndoshta jo në gjithçka. Por në mënyrën si duam. Në mënyrën si përpiqemi. Në mënyrën si nuk dorëzohemi, edhe kur askush nuk e vëren.
Dhe kjo është ndoshta ironia dhe e bukura e mëmësisë.
Mes nesh,
nga një bijë që po e kupton çdo ditë e më shumë mamanë e saj,"- shkruar nga një ndjekëse e Anabel, për rubrikën "Mes nesh".
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.