
Kur u bë publike se Monika Kryemadhi do të ishte pjesë e panelit të opinionistëve në “Big Brother VIP Albania”, reagimet nuk vonuan dhe, siç ndodh shpesh me figurat publike (veçanërisht ato politike), njerëzit u ndanë në dy kampe. Nga njëra anë, ata që e panë këtë lëvizje si problematike, duke e lexuar praninë e saj televizive në dritën e së shkuarës politike, të hetimeve, të kujtesës publike që nuk fshihet lehtë dhe të figurës së ish-bashkëshortit të saj, Ilir Meta, aktualisht në paraburgim. Për këtë pjesë të publikut, “Big Brother” rrezikonte të shndërrohej në një mjet për pastrim imazhi. Nga ana tjetër, ishte një publik po aq i zëshëm që priste me interes një Monikë “të ashpër”: një opinioniste të prerë, të ftohtë në gjykim që nuk do të bënte pakompromis në qëndrime, që do të sillte në panel një energji tjetër nga ajo e zakonshmja e reality show-t. Dy pritshmëri të ndryshme, por që kishin diçka të përbashkët: bindjen se prania e saj nuk do të kalonte pa lënë gjurmë.
Fillimisht, ajo që iu ofrua publikut ishte një Monikë ndryshe. Më e butë, më familjare, herë-herë “babaxhane”, e gatshme të bëjë humor me emrat, me kujtime personale dhe me një lloj dashamirësie ndaj banorëve që në javët e para të një formati të tillë mund të justifikohet. Në “Big Brother-in” ende pa konflikte serioze, kjo qasje u pranua si fazë tranzitore sa ajo të përshtatej me programin dhe loja të niste realisht.
Por ndërsa dinamikat brenda shtëpisë u ashpërsuan, qasja e opinionistes mbeti e pandryshuar. Këtu nisi problemi. “Big Brother” nuk është emision mëngjesi me receta gatimi. Kur nis loja, opinionisti nuk mund të rrijë si organizatori i një darke familjare që s’do të prishë atmosferën. Roli i Monikës nuk është të qetësojë, por të artikulojë; jo të pajtohet me çdo qëndrim, por të pozicionohet.
Në javët që pasuan, u vu re një mungesë e vazhdueshme e qëndrimeve të qarta në situata që i kërkonin ato. Diskutime mbi flirtet e aluduara, kufijtë etikë, raportet mes banorëve, shpesh u komentuan me justifikime të buta, me etiketime që shmangnin thelbin dhe me një neutralitet të lodhshëm. Neutraliteti, kur zgjatet përtej masës, nuk është më virtyt, por shmangie nga debati.
Më problematike sesa mungesa e qëndrimit ishte ndjesia e standardit të dyfishtë. Justifikimi i sjelljeve të diskutueshme me fraza të tipit “Miri është xhentil”, i shoqëruar më pas me deklarata emocionale se “nëse do kishte qenë vajza e saj në vend të Selin, do e kishte nxjerrë prej flokësh jashtë”, krijon një përçarje që publiku e lexon menjëherë. Opinionisti nuk mund të gjykojë lojën me një kod dhe jetën me një tjetër. Monika mund të jetë konservatore, liberale, e ashpër, e butë, por jo me dy standarde.
Kësaj i shtohet edhe gjuha. Shprehje që romantizojnë sjellje toksike dhe dhunën (kush të shan, të do), batuta që mbështeten në stereotipe të vjetra (të ishte e mirë kunata, do quhej kudita), etiketime që mund të kalojnë pa u vënë re në biseda informale (dashnoret nuk duan lule), por që në ekran kombëtar marrin peshë tjetër. Fjala e opinionistit nuk është thjesht mendim personal; opinionisti, edhe kur është “i fortë”, duhet të jetë i përgjegjshëm.
Një tjetër tipar i përsëritur është shmangia nga tema. Monika shpesh i shmanget pyetjes, fut kunata, vjehrra, stereotipe, komente që nuk i përkasin diskutimit. Kjo zakonisht është simptomë e dy gjërave: ose mungesë e një mendimi të formuar për situatën; ose zgjedhje për ta “mbushur” kohën televizive pa mbajtur një qëndrim. Por Monika nuk është aty për të mbushur hapësirën e transmetimit; këtë e bëjnë banorët. Ajo është aty për të analizuar: kush bëri çfarë, pse dhe çfarë pasojash ka kjo brenda lojës.
Kjo diferencë u bë edhe më e dukshme në raport me opinionistët e tjerë në panel. Arbër Hajdari, për shembull, mban qëndrime të qarta dhe të ftohta, herë ironike, herë të shoqëruara me shaka, por gjithmonë të kuptueshme dhe të përgjegjshme. Pikërisht përballë kësaj qasjeje të drejtpërdrejtë, natyra më e tërhequr, e stilit “tërhiq e mos e këput” e Monikës nuk binte gjithmonë në sy. Por momenti kur Arbër Hajdari u zëvendësua përkohësisht dje nga Alketa Vejsiu e bëri këtë kontrast edhe më të qartë për publikun. Ashtu si Arbri, edhe Alketa mbajti qëndrime të artikuluara, vendosi qartë pikat mbi “i” për disa raporte brenda shtëpisë (sipas këndvështrimit të saj) dhe nuk iu shmang asnjë pyetjeje. Përballë Alketës elokuente dhe “të zjarrtë” në kontekstin e debatit, u bë edhe më e dukshme qasja e Monikës.
Nuk ka rëndësi të hyjmë në analizën nëse kjo është Monika “e vërtetë” jashtë politikës apo një rol i ndërtuar për sytë e publikut. Nëse kjo është ajo jashtë politikës, atëherë nuk po përshtatet mirë në këtë karrige të re televizive. Nëse është rol, publiku i nuhat shpejt llogaritjet dhe PR-in, dhe opinionisti humbet atë që i duhet më shumë: besueshmërinë.
Në një format si “Big Brother” ku gjithçka është spektakël, mungesa e një qëndrimi të sinqertë, të qartë dhe të përgjegjshëm nuk të bën as më njerëzor, as më të afërt me publikun. Të bën thjesht një zë më shumë në kakofoninë e studios - një zë që dëgjohet, por që, në fund, rezulton i panevojshëm.