
E kush do ta kishte menduar se do vinte dita që dikush do të ma kthente jetën përmbys. Do arrinte të rrëzonte çdo parim timin që kisha ndërtuar mbi idenë e një "jete perfekte". Tani e kuptoj që perfeksioni është vetëm një iluzion. Thjesht duhet të kërkojmë ato gjëra që na bëjnë të ndihemi mirë dhe mbi të gjitha të jemi vetvetja.
Këtu nis historia ime, e cila ende është në fillimet e saj dhe shpresoj të jetë e përjetshme. Në tetor të vitit të kaluar, në rrethana të pazakonta, njoha një djalë. Një njeri që nuk kishte asgjë të përbashkët me imazhin që unë kisha krijuar për mashkullin e jetës sime dhe ndoshta pikërisht kjo e bëri aq të veçantë.
E kam vështirësuar aq shumë këtë lidhje, për shkak të disa parimeve të pakuptimta, të cilave u isha përmbajtur verbërisht gjatë gjithë jetës sime. Ishin rregulla që mendoja se më mbronin, por në fakt, vetëm më mbanin larg nga diçka e vërtetë.
Kanë kaluar muaj dhe unë ende nuk jam aty ku duhet të jem në këtë lidhje… E megjithatë, ai është ende aty. Ndoshta është lodhur, mërzitur, ndoshta e kam bezdisur më shumë se ç'duhet… por tek unë, nuk lë të kuptohet asgjë. Nuk tregon asnjë shenjë zhgënjimi, asnjë emocion që mund të më rëndojë më shumë.
Oh, çfarë qetësie ndiej pranë tij… Është si të pushoj më në fund pas një rruge të gjatë. Prania e tij më jep një ndjesi sigurie dhe paqeje. Ndihem kaq mirë, sikur më në fund kam gjetur një vend ku mund të jem vetja.
Jam një person i ftohtë dhe ndoshta nuk di shumë të flas për ndjenja. As nuk mendoja se do të doja dikë kaq shumë, por di të them që ai djalë më ka ndryshuar më shumë sesa mendoja. Me të kam mësuar se ndjenjat nuk janë gjithmonë fjalë por ndonjëherë janë heshtje, prani dhe besim.
Në këtë periudhë, ai po kalon një situatë të vështirë. Më këputet shpirti kur e shoh të lodhur dhe të rënduar, e ndiej peshën e dhimbjes së tij, por unë nuk mund të bëj gjë tjetër veçse t’i qëndroj pranë në heshtje dhe me gjithë zemër.
Doja t’i thoja disa fjalë ashtu siç di unë:
I vogli im…
Nëse e mban mend, në fillim të njohjes sonë, të dërgova një thënie “Nuk ka takime rasti, çdo person në jetën tonë është provim ose dhuratë.” Atëherë më pyete se çfarë ishe ti për mua dhe unë të thashë t'ia linim në dorë kohës. Sot, pas kaq muajsh, mund të them me bindje se ti je dhurata më e bukur dhe më e vyer që më ka dhuruar jeta.
Ndoshta nuk e shpreh shpesh, por të dua realisht shumë. Të dua më shumë për plagët që fsheh, sesa për buzëqeshjen që sheh bota. Dua që ta dish se tashmë nuk je më vetëm, unë do të jem pranë teje në çdo situatë. Do të jem aty për të të dëgjuar, pa asnjë paragjykim dhe me gjithë përkushtimin tim.
Je një djalë shumë i fortë dhe e di që do ia dalësh. Kur e gjithë kjo të mbarojë, unë do jem aty përpara teje, jashtëzakonisht krenare për gjysmën time më të mirë.
Të dua shumë O.S <3
- Shkruar për Anabel nga një grua, për rubrikën “Untold Stories” – streha ku rrëfejmë ato çaste kur zemra kërkon të flasë, qoftë për të mirat, qoftë për të vështirat, për ndjesitë më të thella që nuk duam t’i mbajmë brenda. Nëse edhe ju dëshironi të ndani historinë tuaj, na shkruani në [email protected].