
I dashur,
Ka ditë që më kap dëshira të të shkruaj, jo sepse mungon komunikimi ynë, por sepse ka ndjenja që nuk nxënë dot në biseda të përditshme. Ka fjalë që duan kohë, që duan qetësi dhe dua që kjo letër të jetë një nga ato momente të ngadalta, ku unë të shkruaj me zemër dhe ti të më lexosh me shpirt.
Ndonjëherë mendoj për herën e parë që të pashë, nuk e di nëse ishin sytë e tu apo mënyra si më dhe ndjesinë e një sigurie që s’e kisha ndjerë kurrë më parë. Që në atë moment, diçka brenda meje më tha se ti do të ishe njeriu që do të më bënte të ndihesha në shtëpi, kudo që të ishim.
Dhe nuk gabova.
Në ty gjeta gjithçka që kisha kërkuar pa e ditur se çfarë po kërkoja: qetësinë, mirëkuptimin, forcën, durimin. Ti më mësove që dashuria e vërtetë nuk është e zhurmshme ajo nuk bërtet, nuk kërkon vëmendje, por qëndron aty, e palëkundur, në çdo mëngjes kur zgjohesh pranë meje, në çdo mbrëmje kur më pyet “a je mirë?”, në çdo detaj që e bën përditshmërinë tonë të bukur.
Më pëlqen mënyra si më sheh, si më dëgjon edhe kur unë flas me mendimet e mia, si di të më qetësosh pa thënë asgjë. Ka diçka në dashurinë tënde që më bën të besoj se jeta mund të jetë më e butë, më e mirë. Ti je ai njeri që më ka mësuar të mos kem frikë nga e ardhmja, sepse di që do ta përballojmë bashkë.
Ka momente që mendoj për gjithçka që kemi kaluar për gëzimet, për sprovën, për pritjet, për të qeshurat, për ditët e vështira. Dhe e kuptoj se çdo hap i vogël që kemi bërë ka pasur kuptim. Ti nuk je thjesht i fejuari im; je miku im më i mirë, je njeriu që më njeh deri në fund, je ai që më ka parë në versionet e mia më të mira e më të lodhura, dhe më ke dashur njësoj.
Nuk dua ta quaj këtë letër “romantike”, sepse dashuria jonë është shumë më tepër se romancë. Ajo është ndërtim. Është përkushtim. Është zgjedhje çdo ditë. Është dëshira për ta parë tjetrin të rritet, të ndriçojë, të jetë mirë. Dhe unë të zgjedh ty, çdo ditë, me bindjen më të thellë që mund të ketë një njeri.
Kur mendoj për të ardhmen, nuk më duhet shumë për ta përfytyruar: një shtëpi me dritë, me qetësi, me aromë kafeje në mëngjes dhe me ty që më përqafon si çdo herë, pa shumë fjalë, por me gjithë botën në atë përqafim.
Faleminderit që je njeriu që më bën të besoj në dashurinë e sinqertë, që nuk më lë të dorëzohem, që më kujton se dashuria është më shumë se ndjenjë, është mbështetje, respekt, bashkëudhëtim.
Unë të dua me gjithë atë që jam, me gjithë të metat dhe dritën time. Dhe çdo ditë që kalon, më duket sikur të dua pak më shumë se dje.
E jotja, gjithmonë.
P.S.: Anabel, thjesht më pëlqen të shkruaj pa masë dhe ndaj ju dërgoj letra të tilla.
Falemnderit.
- Shkruar për Anabel nga një grua anonime, për rubrikën “Untold Stories” – streha ku rrëfejmë ato çaste kur zemra kërkon të flasë, qoftë për të mirat, qoftë për të vështirat, për ndjesitë më të thella që nuk duam t’i mbajmë brenda. Nëse edhe ju dëshironi të ndani historinë tuaj, na shkruani në [email protected].