“Mjaftoi vetëm një mesazh, “përshëndetje bukuroshe”, dhe ndër mend të më rridhnin mijëra kujtime të viteve të shkuara. Mesazhet që, pas vitit 2008, të vinin çdo 2-3 vjet. Ai kurrë nuk e diti se sa shumë e kam dashur dhe çfarë isha e gatshme të bëja për të, por sot... sot mjaftoi vetëm një mesazh që të më linte pa fjalë: “…ti mjafton, mjafton që në këtë botë të më duash vetëm ti."
E si mundem unë të të dua, kur rrugët tona janë ndarë thuajse dy dekada më parë? Si mundem të të dua, kur kam qarë aq shumë për ty? Si mundem të të dua, kur ti sot ke familjen tënde, fëmijët e tu?
A mundet njeriu vallë të dojë dy njerëz njëkohësisht? Kaq e madhe është zemra jote sa të mbajë kaq shumë dashuri?! Të pyeta në mesazhin e fundit: “Kaq të madhe e ke zemrën vallë sa ka vend edhe për mua?!” Sa naive që jam...më duket vetja ende 18 dhe jo 38.
Jeta është shumë e çuditshme. Vite më parë çfarë nuk do të jepja t’i lexoja këto fjalë; vite më parë do kisha kthyer botën përmbys vetëm të isha me ty. Ashtu sikundër ktheva jetën time përmbys, jetën e një studenteje me ëndrra shumë për të ardhmen, për të ndjekur dashurinë e saj - dashuri e cila nuk u vlerësua kurrë.
I dashur B., sapo hyra në shtëpi dhe u ula në kolltukun ku vesh këpucët në korridor, shtëpia ime sot m’u duk e huaj, sikur nuk kam jetuar kurrë këtu, sikur kjo jetë nuk është e imja dhe unë jam thjesht spektatore nga ekrani. M’u duk kaq e ftohtë, sa edhe atmosfera e dy ditëve përpara Krishtlindjes nuk më ngroh. Faji është i gjithi i yti. Ke disa ditë, që pas ditëlindjes sime, që më ke pushtuar mendjen; ke zënë vend aty, bashkë me gjithë pikëpyetjet e mia. Të pyeta në një nga këto ditë a e ke menduar vallë se si do të ishte jeta jonë, nëse ne do të ishim ende bashkë. E m’u përgjigje që me siguri do të ishim shumë të lumtur dhe të bukur.
E di, dhe unë e kam menduar shpesh këtë, që do e kisha pasur jetën më të lehtë nëse do të ishim ende bashkë. Ti më shkruan dhe mua më vijnë ndër mend momentet e para kur jemi njohur. E marr veten inat kot se pse nuk i kam harruar këto dreq kujtimesh, e pastaj qetësohem se diku, dikur, kam lexuar se dashuria e parë nuk harrohet kurrë. Isha vetëm 18 vjeç kur u njohëm bashkë. Isha e lumtur se më zgjodhe mua, kishe sy vetëm për mua, më mbroje nga lojërat që bënim si grup shoqëror. Kisha statusin e të paprekshmes dhe sytë e ziliqarë e nënqeshur të shoqeve të mia na shoqëronin në ato ditë pushimesh. E sikur dikush të na kishte mallkuar, kjo dashuri nuk e pati jetën e gjatë: vetëm një vit, dhe kjo sepse ne jetonim në dy shtete të ndryshme. Asokohe nuk lëvizje dot jashtë shtetit pa vizë dhe vizat ishin të vështira për t’u marrë.
Nuk e harroj dot ditën dhe zërin tënd në telefon, kur më the të mos vija në qytetin ku ti jetoje, sepse nuk më doje më. Ma the në telefon, në ato telefonata që me zor i prisja, me zor prisja të të dëgjoja zërin, sikundër edhe thirrjet në Messenger. Nuk po u besoja veshëve. Ndërkohë, gjatë vitit kisha mësuar gjuhën e vendit ku ti jetoje, një gjuhë që isha betuar për të mos e mësuar kurrë, pasi nuk më pëlqente se si tingëllonte. Kisha bindur prindërit që të vija tek ti, kisha thurur aq shumë ëndrra - ëndrra bashkë me ty - por ti i hodhe tutje, i shkele me këmbë. Por, si kokëfortë që jam unë, erdha, dhe prindërit e tu më pritën në shtëpinë e tyre. Jam treguar gjithmonë falënderuese ndaj mikpritjes që treguan prindërit e tu.
Nuk kishim ndarë bashkë më shumë se sa puthje e përqafime. Dukej një dashuri kaq sublime, e pastër, platonike herë-herë. Në ato pak ditë që ndenjta në shtëpinë e prindërve të tu, kishte ditë që më afroje dhe mendoja se ty të ishte kthyer dashuria për mua. Sa naive... si mund që dashuria të ikë e të kthehet, njësoj si çelësi i dritës on/off. Nuk më dhe kurrë asnjë arsye pse u ndamë, përveçse një “nuk të dua më”. Për shumëkënd mund të jetë shumë, por për mua ishte pak, e papërfillshme fare, sepse sytë e tu mendoja se flisnin ndryshe nga çdo fjalë e thënë me zë.
Por më e keqja nuk ishte kjo. Më e keqja ishte se fillova të ndryshoja unë, duke u ndjerë asnjëherë e mjaftueshme dhe e mirë për askënd. Isha gjithmonë në garë me veten për t’u bërë më e mira. Doja të isha e pranuar nga të gjithë, të më zgjidhnin mua. Mungesa e vetëbesimit të bën t’i ulësh vlerat vetes, të mos besosh askënd. Por i vetmi besim që nuk më humbi dhe nuk më tradhtoi ishte ai në Zot, dhe po të mos ishte për Zotin, ndoshta nuk do isha duke shkruar këtë letër sot.
I dashur B., je rikthyer disa herë në jetën time në këto 20 vite, me mesazhe dhe duke më shprehur deri-diku edhe ndjenjat, por jo si këtë herë. Këtë herë po më thua çdo fjalë që unë kam dashur dhe kam pritur neteve të pafundme pa gjumë. Këtë herë më tregove arsyen pse u ndamë, edhe pse ti më doje - një arsye me të cilën sot s’kam çfarë të bëj. Vite me radhë jam përpjekur ta zbuloj, duke komunikuar me njerëz që të rrethonin ty, ndoshta për të qetësuar veten, që unë nuk bëra asnjë faj. Nuk të desha as për dokumente/letra, as për ndonjë shtetësi tjetër, as për të përfituar nga të ardhurat e tua, as për dhurata e miklime të ndryshme. Të doja sepse ishe ti. Ishe ti që bëje zemrën time të rrihte fort e të ndihesha gjallë. Ishe ti që më dhe shpresë se mund të dilja nga një fëmijëri deri-diku e hidhur.
Ti, B., nuk ishe ende gati për një jetë me mua. I frikësoheshe nëse do mund të përballoje jetesën për dy, nëse do mundeshe të më ofroje një shtëpi dhe një jetë të qetë, të kujdeseshe për mua. Kishe frikë nga e ardhmja...ky ishte shkaku i ndarjes. Por për mua, zemra dhe dashuria jote ishin prehje dhe qetësi, streha e shpirtit tim. Sot, kur të dy ne kemi familjet tona të vogla, çfarë ta bëj unë dashurinë tënde? Çfarë t’i dua ndjenjat e tua? Çfarë të bëj me fjalët e tua, që për ty mjafton të dish që unë jetoj, jam mirë dhe kjo të bën të lumtur? B., të kujtohet kur bëre mbi 2,600 km për të më takuar përpara 11 vitesh? Unë ende beqare, por ti jo. As atëherë nuk më binde të bëhesha e jotja, megjithëse një puthje ma rrëmbeve kur më përcollë në shtëpi dhe më the: “zemra më copëtohet pa ty, dua të të kem sërish në jetën time”. Nënqesha atëherë dhe të thashë që nuk hyj në mes të një familjeje; unë nuk bëhem dot shkaktare që ti të mos jetosh pranë fëmijëve të tu.
Por sot unë, B., nuk e di çfarë dua. Nuk e di nëse kam arritur të dua ndonjëherë dikë. Nuk e di nëse e dua bashkëshortin tim. Por një gjë e di mirë: nuk e braktis tim shoq për ty dhe, aq më pak, nuk e tradhtoj, edhe sikur zemra të copëtohej nga dashuria për ty. Sot dashurinë tënde nuk kam ç’e dua. Mallin për ty e kam strukur diku thellë dhe nuk e lejoj të nxjerrë krye, por as nuk e mohoj që sedra më përkëdhelet që ti ende më do, që qenia ime pushton mendimet e tua. Është si një shpagim për atë çka unë përjetova 20 vite më parë e disa vite më pas.
B., sot mesazhi yt më la pa fjalë. Si mundesh të më duash vallë edhe pas kaq vitesh? Dhe si mundet që kujtimi yt të jetë kaq i gjallë tek unë, sikur të ishim njohur dje? Sot, për herë të parë, kam frikë nga kujtimet me ty, nga ti dhe nga çfarë do të më sjellë e ardhmja. Kam frikë të të besoj në çdo fjalë. Kam frikë se të dua ende. Kam frikë se, nëse përballemi në rrugë, maska do më bjerë; nuk do jem aq e fortë sa dukem pas ekranit të celularit. Kam frikë se do t’i dorëzohem një përqafimi apo një puthjeje aq të lakmuar. “Të dua vërtet shumë”...këto më the në mesazhin e fundit. Sa çuditshëm sillet jeta...Unë të betohem nuk e di nëse të dua, nuk e di nëse kam ende ndjenja për ty, dhe për këtë sot guxoj të ta them, edhe fshehur pas një ekrani celulari, se ky është vetëm faji yt. Unë nuk arrij dot të dua njeri. Edhe më parë, kur njihja dikë (jo se kam njohur shumë, numërohen me gishtat e njërës dorë dhe teprojnë), interesi mbaronte sapo pala tjetër shprehte diçka më shumë se pëlqim, kur flirti mbaronte. Nuk isha kurrë gati për një hap më shumë. Ne u deshëm në kohë të gabuar, nuk ishim gati për njëri-tjetrin. Por sot nuk të mbaj më mëri; sot ti ke qetësuar zemrën time, që dikur rrihte aq fort për ty, apo edhe ende rreh...nuk e di.
Dikur më the: “Do të të dua gjithë jetën”, dhe unë, si naive, e besoja fort. Kanë kaluar 20 vjet dhe ti ende e thua, sikur të ishte gjëja më e natyrshme në botë. 20 vjet nuk janë një jetë, por nuk janë as pak. I kisha pritur shumë këto fjalë, por sot nuk mund të më vendosësh përpara përgjegjësisë dhe të më thuash: “Sot ti ke shans të më kesh, nëse ke interes, nëse ke ndjenja për mua”. Kjo nuk është e drejtë. Nuk mund të ma vendosësh këtë peshë në prehër. Dikur nuk më dhe mundësi të zgjidhja; sot unë nuk dua të zgjedh. Nuk kam çfarë të zgjedh. Nuk ka më kohë për ne.”
- Shkruar për Anabel nga një grua anonime, për rubrikën “Untold Stories” – streha ku rrëfejmë ato çaste kur zemra kërkon të flasë, qoftë për të mirat, qoftë për të vështirat, për ndjesitë më të thella që nuk duam t’i mbajmë brenda. Nëse edhe ju dëshironi të ndani historinë tuaj, na shkruani në [email protected].

