Pedagogë që shesin tema diplomash në fotokopjet pranë shkollave dhe faqe internet ku blihen të gatshme: këto u denoncuan nga emisioni investigativ “Fiks Fare” të hënën mbrëma.
Me anë të kamerave të fshehta u regjistrua biseda në njërën prej fotokopjeve pranë fakultetit të Ekonomisë, në Tiranë. Gazetarët u paraqitën si studentë të një universiteti privat të interesuar për një diplomë të nivelit bachelor dhe master. Punonjësit e fotokopjes treguan se temat shiten zakonisht për 150 deri në 300 euro tek studentët e universiteteve private apo shtëtërore. Kamera e fshehtë shfaqi punonjësen e fotokopjes e cila tha se edhe ajo e kishte blerë temën aty dhe e kishte prezantuar në universitetin e qytetit të Durrësit.
Kjo nuk është mënyra e vetme e blerjes së diplomave të gatshme. Në regjistrim përmenden faqe online ku përpos trajnimeve të ndryshme, mund të blesh dhe një temë diplomë. Çmimi në këtë rast është më i ulët, nga 50 deri 100 mijë lekë, sepse temat janë gjysmë të gatshme.
T’i gjesh këto tema nuk është e vështirë sepse janë vetë pedagogët ata që shesin temat, pasi studentët i kanë prezantuar në sezonin përkatës. Gjithashtu, mungesa e një sistemi për ruajtjen e tyre bën të vështirë që të kuptohet nëse një temë është autentike apo jo. Krijimi i një database, si ai që shumë universitete private kanë, do mbronte jo vetëm punimet e studentëve por do shmangte dhe tregtinë e temave të diplomës.