Sulmi i befasishëm i Izraelit ndaj shënjestrave anembanë Iranit të premten e 13 qershorit u pasua nga tre ditë të tjera sulmesh të përshkallëzuara, ndërsa të dyja palët kërcënuan me shkatërrime të mëtejshme, në përballjen më të madhe që nga fillimi i armiqësisë mes tyre.
Ja një përmbledhje e konfliktit deri tani:
- Izraeli goditi më shumë se 100 shënjestra në Iran të premten, duke përfshirë objekte bërthamore dhe raketash, si dhe vrau komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë. Imazhet satelitore treguan dëme të konsiderueshme në zonat e kompleksit bërthamor Natanz, objekti më i rëndësishëm i pasurimit bërthamor të Iranit, por impianti i pasurimit të karburantit duket se ishte i paprekur. Një qendër kërkimore bërthamore në Isfahan u godit gjithashtu.
- Ndër të vrarët ishin edhe zyrtarë të lartë ushtarakë – si shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, Maj Gen Mohammad Bagheri, komandanti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Gjeneral Hossein Salami, si dhe të paktën gjashtë shkencëtarë bërthamorë iranianë.
- Sulmet izraelite vazhduan edhe përgjatë fundjavës dhe të hënën, ndërsa Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) deklaruan se kishin vendosur nën kontroll qiellin e Teheranit. Ushtria e Izraelit tha se që nga e shtuna kishte goditur “më shumë se 80” shënjestra në Teheran, përfshirë selinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe lëshuesit e raketave që përdoren për të sulmuar Izraelin dhe për të mbrojtur Iranin. Ministria e Naftës së Iranit tha se Izraeli kishte goditur edhe 2 depo karburanti pranë Teheranit. Irani akuzoi Izraelin se kishte qëlluar zonat e banuara, ndërsa Ministria e Shëndetësisë njoftoi se që nga e premtja sulmet ajrore të Izraelit kishin vrarë 224 njerëz.
- Irani ka lëshuar disa raketa ndaj Izraelit që nga e premtja. Autoritetet izraelite thanë se të paktën 14 veta u vranë që nga e premtja dhe 390 të tjerë u plagosën. Ekipet e shpëtimit deklaruan se një sulm të shtunën vonë shkatërroi një ndërtesë 3-katëshe në Tamra, duke vrarë 4 gra, ndërsa 6 persona u vranë dhe të paktën 180 u plagosën nga një sulm raketor në Bat Yam, pranë Tel Avivit. Këto shifra pritej të rriteshin të hënën, pasi raketat iraniane qëlluan Tel Avivin dhe Haifën.
- Irani paralajmëroi SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën se bazat dhe anijet e tyre ushtarake do të shënjestroheshin, nëse ato ndërhynin për të bllokuar sulmet raketore dhe me dron të Iranit si përgjigje ndaj sulmit të Izraelit. Zyrtarë amerikanë u thanë mediave se sistemet e mbrojtjes ajrore amerikane dhe një shkatërrues i Marinës ndihmuan Izraelin të rrëzonte disa raketa balistike që vinin nga Irani të premten. Mbretëria e Bashkuar po dërgon avionë dhe asete të tjera ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer refuzoi të përjashtonte mundësinë që të mbronte Izraelin.
- Duke justifikuar sulmin, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se veproi për të parandaluar programin e fshehtë bërthamor të Iranit, duke pretenduar se Teherani tani ka kapacitet të prodhojë 9 bomba bërthamore. Bordi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) vendosi të enjten që Irani ka shkelur detyrimet e tij sipas traktatit të mospërhapjes bërthamore, duke mos bashkëpunuar plotësisht me inspektimet e IAEA-s dhe duke grumbulluar rreth 400 kilogramë uran të pasuruar. Vlerësimet e shërbimeve perëndimore të inteligjencës deri tani përgjithësisht thonë se Irani nuk e ka marrë vendimin për të ndërtuar bombën atomike.
- Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi “ndëshkim të ashpër” dhe deklaroi se zonat e banuara ishin vënë nën shënjestër.
- Raundi i ri i bisedimeve bërthamore SHBA–Iran, i planifikuar për të dielën, u anulua dhe Teherani njoftoi ndërmjetësit Katar dhe Oman që nuk ishte i gatshëm të negocionte armëpushim ndërsa sulmohej nga Izraeli.
- Sekretari i Shtetit i SHBA, Marco Rubio, deklaroi herët të premten se SHBA-të nuk kishin marrë pjesë në sulmin e Izraelit, por më vonë, presidenti Donald Trump u tha gazetarëve se SHBA-të kishin pasur dijeni për sulmin që po përgatitej.
- Gjatë samitit G7 që u mbajt të dielën në Kanada, Trump deklaroi se po punonte prapa skenave për të arritur një marrëveshje, ndërsa Reuters raportoi se presidenti kishte bllokuar ditët e fundit një plan të Izraelit për të vrarë liderin supreme të Iranit.