
Grupi BALFIN dhe Flying Tiger Copenhagen, në një partneritet strategjik për t’u shtrirë në sektorin e shitjes me pakicë në Ballkanin Perëndimor
• Gjatë katër viteve të ardhshme do të hapen 50 dyqane të reja në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
• Dyqani i parë i Flying Tiger Copenhagen pritet të hapet këtë tetor në Shkup, Maqedoni të Veriut.
• Rreth 400 vende të reja pune do të krijohen në pesë vende përmes këtij partneriteti.
Grupi BALFIN, një nga grupet më të suksesshme të investimeve dhe Flying Tiger Copenhagen, marka daneze e njohur globalisht për artikujt modernë dhe unikë, ka nisur një partneritet strategjik që parashikon në harkun kohor të katër viteve hapjen e 50 dyqaneve në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Marrëveshja përforcon angazhimin e Grupit BALFIN për të sjellë marka ndërkombëtare, inovacion dhe standarde të larta në rajon, ndërsa për Flying Tiger Copenhagen konsolidon përpjekjet për të zgjeruar aktivitetin në Europën Juglindore.
Dyqani i parë pritet të hapet në tetor të këtij viti në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, dhe më tej do të vijohet me hapjen e dyqaneve të tjera në Shqipëri, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, dhe Mal të Zi.
“Duke u nisur nga prezenca jonë e fortë në Europë dhe hyrja e suksesshme në Turqi në tetor 2024, shtrirja në Ballkanin Perëndimor vjen si vendim krejt i natyrshëm. Kërkesa e madhe për marka ndërkombëtare dhe entuziazmi për produkte kreative dhe të përballueshme në këtë rajon përputhen në mënyrë të përkryer me konceptin e Flying Tiger Copenhagen. Jemi shumë të kënaqur që po hyjmë në këtë pjesë të Europës dhe mezi po presim të angazhohemi sa më parë me klientët e Ballkanit Perëndimor,” - tha Julius Schmidt, Drejtori Rajonal për Indinë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën (IMEA) i Flying Tiger Copenhagen.
Steven Grunerud, Zëvendës Presidenti për Zhvillimin e Strategjisë në Grupin BALFIN, e përshkroi partneritetin si një bashkim të fuqishëm të vlerave dhe vizioneve strategjike të përbashkëta.
“Si lider në sektorin e shitjes me pakicë në Europën Juglindore, Grupi BALFIN shërben si një portë hyrëse për markat ndërkombëtare kryesore që synojnë të hyjnë në këtë treg të gjallë dhe me rritje të shpejtë. Bashkëpunimi ynë me Flying Tiger Copenhagen është një dëshmi e besimit tonë në partneritete afatgjata që sjellin vlerë dhe cilësi për klientët tanë.”
Përtej dimensioneve komerciale, partneriteti pritet të sjellë një vlerë të konsiderueshme socio-ekonomike në rajon. Rreth 400 vende të reja pune pritet të krijohen në pesë vende, me fokus në role lokale operative që kontribuojnë drejtpërdrejt në fuqizimin ekonomik dhe zhvillimin e fuqisë punëtore.
Së bashku, Grupi BALFIN dhe Flying Tiger Copenhagen po vendosin themelin për një përvojë moderne, të aksesueshme dhe tërheqëse në shitjen me pakicë, që rezonon me konsumatorët dhe përmirëson komunitetet lokale, duke vendosur një standard për partneritetet ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor.
Rreth Flying Tiger Copenhagen
E themeluar në vitin 1995, Flying Tiger Copenhagen ka mbi 1,000 dyqane në 38 vende në mbarë botën. Marka njihet për rrënjët e saj skandinave, identitetin vizual të veçantë dhe misionin për t’u ofruar klientëve produkte funksionale, unike dhe një përvojë blerjeje tërheqëse. Gama e produkteve përfshin kategori të ndryshme si dekor shtëpie, pajisje kuzhine, lodra, materiale shkrimi, aksesorë festash dhe artikuj sezonalë për festat.
E udhëhequr nga filozofia “një jetë më e pasur nuk kushton shumë”, marka fokusohet në produkte dhe përvoja që bashkojnë njerëzit dhe krijojnë momente të paharrueshme. Flying Tiger Copenhagen është gjithashtu e përkushtuar ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, të cilat reflektohen në operacionet dhe dizajnin e produkteve të saj.
Për më shumë informacion, vizitoni: www.flyingtiger.com
Rreth Grupit BALFIN
Grupi BALFIN është një nga grupet e investimit më të suksesshëm në Ballkanin Perëndimor. I themeluar në vitin 1993, në Vjenë, nga Samir Mane, Grupi është sot i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Maqedoninë e Veriut, Zvicër, Mal të Zi, Holandë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Grupi ka rreth 5,500 punonjës dhe një portofol të diversifikuar investimesh që përfshin sektorin bankar, zhvillimin e pasurive të paluajtshme, tregtinë me shumicë dhe pakicë, menaxhimin e aseteve, turizmin, energjinë, transportin dhe logjistikën, edukimin dhe sektorin e argëtimit.
Që prej vitit 2023, nismat sociale të Grupit janë grupuar dhe konsoliduar brenda Fondacionit Mane, duke kontribuar akoma më mirë dhe më shumë në fuqizimin e komuniteteve.
Qëndroni të informuar në: Web || Facebook || Linkedin || Instagram