
Dubai/ Zjarr i madh në një prej kullave
Një prej kullave rezidenciale të Dubait është përfshirë nga flakët dhe autoritetet vendase kanë evakuuar rreth 3,800 banorë nga ndërtesa. Flakët e kapluan papritur ndërtesën, çka shkaktoi panik të madh te banorët.
Forcat e ekipeve të shpëtimit reaguan shpejt dhe nuk pati viktima apo të lënduar. Zjarri u vu nën kontroll nga zjarrfikësit pas ca orësh përpjekjeje dhe ende po punohet për të gjetur shkakun.
Itali/ Gruaja shqiptare vritet nga ish-bashkëshorti në mes të parkut
Një grua shqiptare është vrarë me thikë në mes të një parku në Tolentino. Gentiana, 45 vjeç dhe nënë e dy fëmijëve, ka gjetur vdekjen nga ish-bashkëshorti, Nikollaq Hudhra, i cili u shpreh se “kishte bërë atë që duhej”.
Gentiana dhe Nikollaqi ishin divorcuar prej vitesh. Ai, pasi kreu krimin, u ul në një stol dhe nuk bëri asnjë rezistencë. Krimi brutal u pa nga disa kalimtarë, pasi ndodhi rreth orës 20:00, në parkun “Vila Bennaduci”, një zonë që frekuentohet shumë.
Konflikti Izrael-Iran/ Donald Trump kërcënon Teheranin
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka bërë një kërcënim mbi forcat iraniane, duke thënë se çdo sulm, i çfarëdo lloji që mund t’i bëhet SHBA, do të ketë pasoja të papara. Përmes një postimi në Truth Social, Trump u shpreh se SHBA nuk kishin asnjë lidhje me sulmin e Izraelit ndaj Iranit.
“Nëse sulmohemi në çfarëdo mënyre apo forme nga Irani, forca dhe fuqia e plotë e Forcave të Armatosura të SHBA-së do të bjerë mbi ju në nivele të papara më parë. Megjithatë, ne mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje midis Iranit dhe Izraelit dhe t’i japim fund këtij konflikti të përgjakshëm!!!”, shkroi presidenti, pasi Izraeli dhe Irani kanë shkëmbyer sulme gjatë dy netëve të fundit.
Indi/ Rrëzohet helikopteri, duke shkaktuar viktima
Një helikopter është rrëzuar në Uttarakhand, në veri të Indisë, duke shkaktuar 7 viktima, mes tyre edhe një fëmijë i vogël 2 vjeç. Sipas mediave në Indi, në helikopter ndodheshin 6 pasagjerë dhe piloti dhe nuk ka të mbijetuar.
Mediet indiane raportuan se moti i keq mund të jetë shkaku i mundshëm i aksidentit. Megjithëse autoritetet dhe ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, sërish ishte tepër vonë.