Ka tema që ngjallin debat, dhe ka tema që thjesht rikthejnë në vëmendje disa standarde që nuk duhet të harrohen, sidomos kur flasim për ekranin publik. Një koment i drejtpërdrejtë nga Aulona Musta në “The Dalina Show” mbi mënyrën si Beniada Nishani flet shqip në një emision të RTSH-së u kthye në pikë diskutimi në rrjet.
Aulona tha troç në “The Dalina Show”:
“Për mua fakti që Beniada prezanton një emision pasditeje kur nuk di të flasë shqip siç duhet, në televizion publik…”
Dhe Fatma Haxhialiu e mbështeti:
“Në televizionin publik shqiptar, një nga rregullat kryesore është që të flasësh shqipe të rrjedhshme, të pastër, sepse është televizioni i të gjithë shqiptarëve.”
A kishin të drejtë?
Shkurt: Po. Ato qartazi nuk kanë ndonjë mllef personal ndaj Beniadës, por thjesht e kanë me profesionin.
Beniada Nishani është padyshim një figurë simpatike dhe origjinale. E fitoi zemrën e publikut në “Big Brother VIP Albania 1”, ku lozonjarja që fliste shqip me theks italian u kthye në një nga të preferuarat. E çiltër, pozitive, me humor të lehtë - një profil që e do kamera (dhe jo më kot Anabel i kushtoi një artikull personazhit të saj me titull “Beniada e fitoi Big Brother-in e saj”).
Por Beniada si personazh dhe Beniada si moderatore e “Miqtë e pasdites” në një televizion publik janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Kur ti je moderatore në RTSH – një institucion publik që financohet nga taksapaguesit shqiptarë – nuk mjafton të jesh simpatike. Duhet të flasësh një shqipe të saktë, të rrjedhshme, standarde. Kjo nuk është aspak çështje personale, por një standard profesional që duhet të aplikohet për këdo që del në ekran në emër të një institucioni publik.
Për të qenë realistë, shqipja e Beniadës nuk është në nivelin që kërkon një format moderimi në një media kombëtare. Ajo bën gabime të vazhdueshme në fjalëformim, përdor forma të gabuara gramatikore dhe shpesh dëgjohet sikur përpiqet të përkthejë mendimet e saj nga italishtja në shqip në kohë reale. Nuk është turp. Është normale për dikë që ka jetuar thuajse gjithë jetën në Itali. Por nuk është as justifikim për t’u vendosur në një rol që kërkon zotërim të përkryer të gjuhës.
Në komentet në Instagram, shumica e ndjekësve e konsideruan kritikën si të drejtë, madje të domosdoshme. “Nëse nuk di shqip, nuk je për prezantuese në një televizion kombëtar," ishte thelbi që përshkonte çdo koment.
Po çfarë tha vetë Beniada? Në një përgjigje ironike në Instagram Story, ajo u shpreh:
“Është një shprehje shumë të bukur që thotë ‘qentë le të lehin dhe kravani ecën përpara.’”
Një frazë që me gjasa kishte për qëllim të tregonte vetëbesim, por përfundoi duke përforcuar saktësisht atë për të cilën po kritikohej: gjuhën e pasaktë. Në një fjali të vetme pati dy gabime – “shprehje shumë të bukur” (në vend të “shumë e bukur”) dhe “kravani” (në vend të “karvani”).
Nëse Beniada dëshiron të ecë përpara në karrierën e saj televizive, do të ishte më mirë të mos i shihte këto vërejtje si sulme, por si sinjale për t’u përmirësuar.
Të gjitha këto, në jetën e përditshme, do kalonin pa u vënë re. Por kur ti je në një ekran kombëtar – ku fton të tjerë, lexon lajme, prezanton rubrika – këto nuk janë më gabime të pafajshme. Janë mangësi profesionale.
Nëse një kirurg nuk mban dot bisturinë në dorë, nuk i themi “e rëndësishme është të jetë pozitiv”. Nëse një mësues i gjuhës shqipe nuk shkruan mirë, nuk e mbajmë në shkollë sepse “është i dashur me nxënësit”. E njëjta gjë vlen edhe për një moderator.
Ky debat nuk ka lidhje me karakterin e Beniadës. Nuk ka lidhje me zili, konkurrencë apo gjithë ato narrativat që shpesh u veshim kritikave publike. Ka lidhje me një profesion ku gjuha është mjeti kryesor i punës, dhe me faktin që në një media publike, duhet të përfaqësohemi nga njerëz që e përdorin atë gjuhë me saktësi.
Askush nuk i kërkon Beniadës të ndryshojë atë që e bën të veçantë. Buzëqeshja, çiltërsia dhe origjinaliteti i saj janë vlera. Por nëse dëshiron të jetë prezantuese në një institucion publik, atëherë mësimi i shqipes nuk është opsional – është detyrë.
Sepse në ekranet që financojmë të gjithë, kemi të drejtë të kërkojmë që të flitet gjuha që na bashkon siç duhet.
E ndoshta më e rëndësishmja: kritika nuk është kurrë e keqe kur vjen nga profesionistë me kontribute në media dhe me mbi një dekadë përvojë. Beniada do të bënte mirë t’i dëgjonte, t’i pranonte dhe të reflektonte me maturi, pa na krahasuar ne kritikuesit me “qentë” që s’e ndalim dot kravanin e saj.
Sepse nëse karvani është televizioni publik, ne jemi ata që e tërheqim.