Mjekë dhe praktikantë të Spitalit të Durrësit kanë realizuar një foto mbi shtratin e një pacienti që siç arrijmë ta kuptojmë është ose në koma ose në gjendje të pandërgjegjshme.
Foto ka qarkulluar në Facebook, ndërkohë që njëri prej mjekëve është njëkohësisht edhe pedagog në Fakultetin e Infermierisë në Durrës, Dr. Arben Haxhihysenaj.
Ndoshta për mjekët, një foto e tillë nuk përmban asnjë ngarkesë, pasi ata kalojnë pjesën më të madhe të kohës nëpër spitale dhe kjo mund të quhet thjesht një foto në ambientin e punës, por pyetja jonë është: A është e lejueshme që të pozohet mbi trupin e një pacienti në gjendje të rëndë dhe për më tepër të mbështetesh mbi të, si të ishte tavolinë, duke mos treguar asnjë respekt për të sëmurin dhe familjarët e tij, pavarësisht faktit që identiteti i pacientit është pothuajse i paidentifikueshëm?
Disa ditë më parë, një ndodhi e ngjashme përfshiu dhe mediat amerikane. Doktoresha Gwen Korovin i bëri një foto vetes dhe yllit të televizionit amerikan Joan Rivers, ndërkohë që kjo e fundit ishte nën efektin e anestezisë. Ngjarja u bë edhe më e rëndë pasi dyshohet se ndërhyrja që kreu doktoresha Korovin, është shkaku i vdekjes së pacientes pak ditë më vonë. Shteti i New York-ut po heton ende mbi thyerjen e etikës së doktoreshës Korovin dhe mbi të gjitha mbi ndjekjen e proçedurave të sakta mjekësore nga ana saj në sallën e kirurgjisë.