
Sulme të fuqishme ajrore izraelite godasin Teheranin pas paralajmërimeve për objektiva të rinj
Sulme të ashpra ajrore izraelite goditën kryeqytetin iranian, Teheranin, herët në mëngjesin e së mërkurës, pasi Izraeli kishte paralajmëruar më parë për objektiva të rinj të mundshëm.
Autoritetet iraniane nuk dhanë asnjë deklaratë zyrtare për sulmet, një qëndrim që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm me shtimin e operacioneve ajrore izraelite që prej të premtes.
Izraeli kishte paralajmëruar më herët se mund të synonte një zonë në jug të Aeroportit Ndërkombëtar Mehrabad, ku ndodhen ndërtesa banimi, instalime ushtarake, kompani farmaceutike dhe industri të tjera.
Sulmet vijnë vetëm një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje qytetarëve të Teheranit të evakuoheshin dhe kërkoi dorëzimin e pakushtëzuar të Iranit.
BE paralajmëron: Ndërhyrja ushtarake e SHBA-së do të përshkallëzonte konfliktin në gjithë Lindjen e Mesme
Përfshirja e mundshme ushtarake e Shteteve të Bashkuara në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit do të “tërhiqte me siguri” të gjithë Lindjen e Mesme në një konflikt më të gjerë dhe më të rrezikshëm, ka deklaruar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas.
Deklarata e saj erdhi pasi presidenti Donald Trump, një përkrahës i fuqishëm i Izraelit, sugjeroi se SHBA mund të ndërhyjë drejtpërdrejt për t’i dhënë fund luftimeve.
Ndërkohë, të martën, Kallas u shpreh qartë se Bashkimi Eropian nuk do të mbështesë ndonjë ndërhyrje të armatosur të SHBA-së në rajon.
Irani përgatit raketa për të goditur bazat amerikane nëse Uashingtoni hyn në luftë
Sipas zyrtarëve amerikanë që kanë analizuar raportet më të fundit të inteligjencës, Irani ka përgatitur raketa dhe pajisje të tjera ushtarake për të goditur bazat amerikane në Lindjen e Mesme në rast se SHBA do të bashkohej me Izraelin në konflikt, shkruan The New York Times.
Për të përballuar një skenar të tillë, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në Evropë dhjetëra aeroplanë furnizues me karburant. Këto avionë mund të përdoren për të mbështetur forcat ajrore që mbrojnë bazat amerikane ose për të zgjeruar rrezen e veprimit të bombarduesve në një sulm të mundshëm kundër objekteve bërthamore të Iranit.
Koreja e Veriut dërgon ndihmë ushtarake në Rusi
Të mërkurën, agjencia ruse e lajmeve TASS citoi ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të thoshte se Koreja e Veriut do të dërgojë “një divizion ndërtuesish, dy brigada ushtarake me rreth 5,000 persona, për të ndihmuar në “rimëkëmbjen” e rajonit të Kurskut.
“Sipas Shoigut, kjo është një ndihmë vëllazërore nga populli korean dhe udhëheqësi Kim Jong Un për vendin tonë,” raportoi AFP duke cituar mediat ruse.
Media shtetërore e Koresë së Veriut shtoi se gjatë takimit midis Kim Jong Un dhe Shoigut u diskutuan edhe “plane afatgjata”.