Pak orë më parë Halil Lita qëlloi me armë zjarri drejt bashkëshortes së tij, Dije Lita. Pas një konflikti të ashpër mes tyre, i cili dyshohet të ketë ndodhur për shkaqe xhelozie, Lita u bë autor i një krimi tragjik në familje. Pas të shtënave, ai doli jashtë, thirri të vëllanë, të cilit i tha fjalët e fundit.
“Gjithçka u bë, s’e kthej dot më pas,” mësohet të ketë thënë Lita dhe më pas i është drejtuar sërish banesës, ku është vetëvrarë me të njëjtën armë automatike.
Pas njoftimit të policisë nga të afërmit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Mësohet se çifti kishte pesë fëmijë, 3 vajza të martuara dhe 2 djem emigrantë. Njëri prej djemve ishte kthyer në shtëpi për pak ditë dhe ditën e djeshme ishte nisur për në shtetin europian ku jeton. Familja Lita ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe se nuk kishte konflikte të jashtme, shkruan BalkanWeb.