
Loredana Zefi ka dhënë një intervistë për "Mirëmbrëmja Yje" me Arbana Osmanin ku për herë të parë ka folur gjatë për gjithë marrëdhënien e saj me Mozzik: që nga njohja, te lidhja, shtatzënia, ndarja dhe polemikat që i kanë ndjekur, deri te kënga e re e Mozzik, "Diss".
Si fillim, Loredana qartësoi se nuk ia ka ndaluar në asnjë moment Mozzik-ut të takojë vajzën e tyre, duke përgënjeshtruar deklaratat ku ai nënkuptonte të kundërtën:
"Ndoshta në fillim, kur kam qenë shtatzënë dhe ka lindur vajza dhe problemet e para që jemi ndarë, ma merr mendja që prej emocioneve ndoshta ndonjëherë i kam shkruar 's'ke për ta takuar vajzën', po ato kanë qenë ajo pjesa që aq keq je emocionalisht, sa nuk di çfarë flet. Kanë qenë javët e para ndoshta po, por jo vite ose muaj, siç e nxjerr ai. Ai ka të drejtë që të vijë ta shohë vajzën kur të dojë, derën e hapur e ka gjithmonë, po nuk e ka parë si detyrim për të ardhur."
Loredana përsëriti disa herë përgjatë intervistës se përpiqet të mos flasë shumë publikisht apo para vajzës për Mozzik, duke treguar variantin e saj për atë që ka ndodhur vërtet mes tyre, vetëm sepse nuk do të lëndojë Hanën:
"Nuk mundem të flas keq sepse lëndoj vajzën. Jam munduar gjithmonë të mos e tregoj si është situata, për të mos lënduar vajzën."
Për këngën e fundit të Mozzik, "Diss", ku ai ofendon veten përmes komenteve të njerëzve duke thënë se "vajzën po ia rrit një burrë tjetër, Karimi", "ish-gruaja ka folur gjëra të tij personale me reperë", "ish-gruaja është lidhur me një person me ngjyrë", e të tjerë, Loredana tha:
"Isha në shtëpi, e kam parë. Thashë 'O Zot!' sepse është shumë e rëndë. Lexoja komentet, shumica e njerëzve thonin 'nuk bën' dhe ata që thonin 'njerëz, s'po e kuptoni që po i bën diss vetes?'. Dhe unë e mendova këtë, gjithmonë duke nxjerrë pozitiven, duke thënë që s'është ndonjë gjë e madhe."
E pyetur se si e priti vajza këtë këngë dhe çfarë shpjegimi i dha Loredana, ajo tha:
"Asgjë, nuk e di. I thashë 'nëse do të flasësh me babin, fol. Nëse nuk do të flasësh me babin është e drejta jote.' Edhe tani normal që kjo e kupton."
Më tej, Loredana tregoi se ka komunikuar me Mozzik-un pas publikimit të këngës duke i thënë se Hana e priti shumë keq, por ai ishte justifikuar duke thënë se e kishte mrojtur Loredanën në fund të këngës, duke thënë se e respekton nënën e fëmijës:
"Normal që ndihesh shumë keq sepse nuk është e nevojshme ta bësh në atë mënyrë. Unë i kam thënë edhe atij, i kam shkruar pastaj 'Hana është shumë keq'. Nuk është hera e parë që më ngacmon. Kur i kam kërkuar të komunikojmë, ka thënë 'po ajo këngë nuk është për fëmijë'. [Loredana]: 'Po pse e fut në YouTube?' [Mozzik]: 'Po a e ke parë në fund që kam thënë që unë e respektoj mamin e fëmijës tim?'. Po nuk e dëgjon fëmija këngën deri në fund. Më vjen shumë keq për të gjithën."
Gjithashtu ajo shtoi:
"Unë di që e kam duruar shumë. E kam duruar maksimalisht për shkak se kam pasur pikë të dobët vajzën dhe ai e ka ditur atë pjesë dhe për shkak të vajzës unë nuk flas, e di ai. Po tani që e teproi, edhe unë jam 'zgjuar prej gjumit' dhe nuk e lejoj më deri në atë pikë. Duhet të ulesh të përballesh me mua, të më kërkosh falje, ta heqësh këngën. Derën e ka hapur kur të dojë të vijë, po a e gjen kohën, a do të vijë..."
Drejt pjesës së fundit dhe ndoshta më të sinqertës, Loredana tregoi se mendon se Mozzik e urren shumë dhe kënaqet duke e bërë të dalë si e keqja publikisht.
"Nëse do të më sulesh mua, se ke urrejtje ndaj meje, sulmomë, nuk e kam problem, nuk më intereson, por përderisa përdor ato fjalë të fëlliqura në këngë, edhe me shumë vetëbesim, ato përfshijnë edhe vajzën.
Po prapë është shumë i mençur se mund të thotë 'kam sharë veten me çfarë thonë njerëzit'. Sidomos t'i thotë emrin Karim-it sikur e njeh, mua më duket shumë e rëndë.
Ndoshta mua më urren aq shumë sa s'ka qejf të m'i shohë sytë, dhe është OK, nuk po them asgjë, por mendoj që është thjesht urrejtje ndaj meje dhe qejfi i tij për të më parë mua keq."
Në fund, ajo përsëriti sërish se e lejon Mozzik-un të vijë e të takojë vajzën, qoftë edhe në shtëpinë e saj, por ai ka zgjedhur të vijë për koncerte në Gjermani dhe të mos i vizitojë. Sipas Loredanës, Mozzik zgjedh ta takojë me dëshirën e tij shumë rrallë të bijën, vetëm me raste ditëlindjesh, ku nuk humbet as rastin për ta uruar publikisht në rrjetet e tij sociale.


