
Aktori amerikan Eric Dane ka ndërruar jetë në moshën 53-vjeçare, gati një vit pasi bëri publike diagnozën me Sklerozë Laterale Amiotrofike (ALS), e njohur edhe si sëmundja e Lou Gehrig-ut. Lajmi u konfirmua nga familja e tij, e cila bëri të ditur se ai u nda nga jeta më 19 shkurt, pas një beteje të guximshme me sëmundjen, i rrethuar nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tij, Billie dhe Georgia.


Dane u bë i famshëm me rolin e Dr. Mark Sloan (i njohur si “McSteamy”) në serialin “Grey's Anatomy”, ku u shfaq për herë të parë në vitin 2006. Fillimisht rol dytësor, personazhi i tij u kthye shpejt në protagonist falë reagimit të madh të publikut. Ai u largua nga seriali në vitin 2012, kur personazhi i tij u vra në skenar. Më vonë, Dane ka treguar se nuk ishte larguar me dëshirë, por ishte hequr nga seriali, duke përmendur si arsye koston e lartë të kontratës dhe periudhën e tij të vështirë personale.

I lindur në San Francisko në vitin 1972, Dane humbi të atin në moshën 7-vjeçare. Fillimisht ishte sportist, por rastësisht u përfshi në një shfaqje teatrale në shkollë dhe aty zbuloi pasionin për aktrimin. Pas diplomimit u shpërngul në Los Angeles me pak para në xhep dhe kaloi disa vite të vështira, të shoqëruara me probleme dhe varësi.

Para suksesit të madh, ai pati role episodike në seriale të njohura si “Charmed”. Më pas u shfaq në projekte të shumta televizive dhe filmike, përfshirë “Euphoria”, ku interpretoi Cal Jacobs, një rol kompleks që i dha mundësinë të largohej nga imazhi i “simbolit seksual” që e kishte ndjekur prej viteve të “Grey’s Anatomy”.

Ai gjithashtu luajti në filma si “Valentine's Day”, “Marley & Me”, “Burlesque” dhe “Bad Boys: Ride or Die”.

Në jetën personale, Dane u martua në vitin 2004 me aktoren Rebecca Gayheart. Çifti pati dy vajza. Martesa kaloi ulje-ngritje, përfshirë një skandal me publikimin e një videoje private dhe periudha rehabilitimi për aktorin për shkak të varësisë nga qetësuesit pas një dëmtimi sportiv. Në vitin 2018 u paraqit kërkesa për divorc, por në mars 2025 u kërkua pezullimi i tij.


Pas diagnostikimit me ALS në vitin 2025, Dane u angazhua publikisht për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen e kërkimeve për këtë sëmundje. Familja e tij ka kërkuar privatësi në këtë periudhë të vështirë.
Eric Dane lë pas dy vajzat e tij, të cilat, sipas familjes, ishin qendra e botës së tij.