
Kur “Big Brother VIP Albania” mbaron për një banor, zakonisht fillon një maratonë nëpër studio televizive. Intervista, reagime, thumbime, “të vërteta të pathëna”, story pas story, koment në çdo prime e kështu me radhë. Disa prej tyre mbijnë si kërpudhat pas shiut në çdo studio, në çdo panel, në çdo debat.
Pastaj është edhe rasti i Stines.
Stine u fut në shtëpinë e BBVA 5 si një nga banorët më të njohur. Qëndroi i qetë, pothuajse jo konfliktual, i pëlqente të bënte bënte pompa sepse nuk kishte nerva në debatonte. Nuk u përfshi në aleanca të zhurmshme, nuk krijoi sherre dramatike dhe, në fund, doli nga loja sepse - siç tha - nuk rrinte dot më. Më pas dha një intervistë të shkurtër në Top Albania Radio dhe kaq. Heshtje.
Stine ka publikuar këngë së fundmi dhe ndërkohë vazhdon të mos merret me “Big Brother VIP”, nuk shkon në studio, nuk e shfrytëzon valën e programit për të promovuar projektet e tij. Por pse?

1. Fokusi te muzika, jo Big-u
Stine është artist para se të jetë ish-banor i “Big Brother”. Për një muzikant që nuk është aktiv në treg sa dikur, një program si BBV mund t’i japë një dorë për ta ekspozuar më shumë, por ka risk.
Shumë artistë përfundojnë të identifikohen me “atë që bënë në shtëpi”, jo me diskografinë e tyre. Zgjedhja e Stines për t’u marrë vetëm me këngë, në mos strategji e mirëfilltë, është një zgjedhje goxha e zgjuar: Mos lejo që një reality show të bëhet etiketa jote kryesore.
Në planin afatgjatë, kjo ka më shumë vlerë se 10 intervista rresht në studiot e Top-it.
2. Lodhja psikologjike
Vërtet Stine nuk e prishte terezinë dhe shumicën e kohës dukej sikur ishte me pushime, por izolimi, kamerat 24/7, presioni publik dhe komentet lënë pasoja.
Fakti që u largua sepse “nuk rrinte dot” nuk dukej si kapriço, por si një kufi. Ndoshta pas daljes, zgjedhja për të mos u ekspozuar menjëherë është një mënyrë për të rimarrë kontrollin mbi jetën e tij.

3. Strategji: Mungesa nxit kureshtjet
Në epokën e mbiekspozimit, të zhdukesh është, në disa raste, më interesante sesa të jesh kudo. Kur të gjithë flasin, ai hesht. Kjo krijon një lloj misteri që funksionon. Pyetja “ku është Stine?” është më interesante sesa “Stine dha sot 5 intervista”.
4. Refuzimi për t’u futur në ciklin e debateve
Pas çdo sezoni të “Big Brother VIP Albania”, fillon faza e “sqarimeve”: kush më tradhtoi, kush më zhgënjeu, kush tha çfarë në dhomën e rrëfimit. Stine nuk dukej tip për këto gjëra. Qëndrimi i tij brenda shtëpisë ishte i njëjtë me qëndrimin pas daljes: i tërhequr, i qetë, pa nevojë për protagonizëm. Ndoshta nuk e pa veten në atë lojë ose thjesht nuk ka asgjë për të thënë.
Pra, a është zhdukja e tij një plan i mirëmenduar apo thjesht një tipar karakteri? Pak nga të dyja, do të thoshim. Megjithatë, gjasat janë që të jetë kjo e dyta më shumë. Stine (si Ujor që është, nëse po pyesni ju të fiksuarit pas astrologjisë) duket se i pëlqen të bëjë ç’të dojë dhe të zhduket kur të dojë.
Në një kohë ku të gjithë përpiqen të jenë kudo, ndoshta zgjedhja për të mos qenë askund është lëvizje më e fortë.


