Një histori rrënqethëse përtej detit, rrëfen se besimi dhe shpresa janë të fundit që vdesin. Besjana Kosturi u mor peng, dhunua e abuzua mizorisht një natë teksa kthehej në shtëpinë e saj në Romë, duke përjetuar orë tmerri në një 'kamp dhunimi' ku 2 burra rumenë e mbajtën përgjatë një nate të tërë.
Por ajo arriti të mbijetonte; me zgjuarsi, një qetësi të befasishme në rrethanat ku ndodhej, i siguroi vetes fatin e rrallë e mbijetesës, në një realitet të errët që vret me dhjetëra vajza të reja në lagjet e Romës. (lexo këtu) E për këtë, babai i saj nuk mund të ishte veçse krenar e mirënjohës; mirënjohës për mundësinë e dytë që iu dha të bijës për të jetuar, krenar që vajza e tij e shpëtoi vetë veten.
Ai bëri thirrje për një tubim në 14 maj, në rrugët e Romës, jo si manifestim për hir të ngjarjes së paprecedentë të vajzës së tij, por për hir të të gjitha vajzave të cilat ndryshe nga Besjana, nuk arritën të mbijetonin. Një numër njerëzish u mblodhën në rrugët e zonës Largo Preneste, ku Besjana mori megafonin dhe mes lotësh, ngriti zërin që të gjithë të bashkoheshin për t'i dhënë fund dhunës ndaj vajzave dhe grave.
Manifestimi u mbajt në një ditë shiu, e pjesëmarrja jo e lartë bëri jehonë në media. Megjithatë, babai i saj, ish-profesori, avokati Vladimir Kosturi, ndihet mirënjohës sepse vajza e tij mbi të gjitha, është gjallë. 'Një kafe që më shpëtoi goca gjallë', ka bërë ai ftesë për të gjithë shqiptarët që duan t'i bashkohen për një kafe në Romë, sipas zakonit shqiptar për të ofruar një kafe në fund të çdo të keqeje:
'Një kafe që më shpëtoi goca gjallë... (cel.340.9010279)
Ftoj të gjithë miqtë e mi në Romë për një kafe DITËN E DIELË, 5 qershor, ora 11.00 në Via Prenestina 298 (Bar London).(Afër zyrës së shoqatës Iliria).
Sipas zakoneve tona :
Ftoj të gjithë shqiptarët që banojnë në Romë për një kafe urimi : "Shyqyr që të shpëtoi goca gjallë!"...
Kisha shumë dëshirë që shqiptarët të më mbështesnin në protestë, por pjesëmarrja e vogël ishte për shkak se une nuk e organizova dhe aspak për fajin e shqiptarëve siç propagandon dikush me keqdashje...
Shprehja se "shqiptarët i trembi shiu", të shkruara nëpër gazeta janë thënë në një moment kur dhimbja ime ishte shumë e madhe...
Pritjen do ta organizoj në shtëpi, ndërsa pika e takimit është në Via Prenestina 298 (Bar London) ne oren 11.00 te ditës së dielë, 5 qershor... Me respekt : Besjana dhe Vladimiri... Kush mundet më konfirmoni me një koment më poshtë ose me një mesazh privat.'