Sapo u ktheva nga shfaqja e dytë e "Lucia di Lamermoor" në teatrin e Operës të Los Angeles, ku protagonist kryesor ishte Saimir Pirgu dhe Albina Shagimuratova, e dirigjuar nga Sir James Conlon.
Teatri i drejtuar nga tenori i njohur Placido Domingo mban rreth 3100 njerëz në publik dhe mbrëmë ishte thuajse e tëra e shitur.
Thuhet që shfaqja e dytë është gjithmonë më e dobëta, pasi artistët janë ende të lodhur nga nata e premierës, por këtë herë ishte një tjetër gjë.
Shfaqja e dytë ishte po aq e bukur dhe e sukseshme sa premiera para 5 ditësh.
E regjistruar në listën e emaileve të LA Opera, duke filluar nga e hëna emaili im u mbush plot me lajme mbi suksesin që kishte patur "Lucia di Lamermoor" në LA dhe nga kritikat shumë të mira që kishte marrë.
Në unison, të gjithë kritikët tregonin që kjo shfaqje ishte shumë e suksesshme dhe për të gjithë dashamirësit e Operës si dhe kuriozët ishte një vepër që ata DUHET të shihnin. Në gjuhën amerikane shpreheshin me: "A MUST GO SHOW".
Në mbarim të shfaqjes, si natën e premierës dhe po ashtu dhe në natën e dytë teksa Saimir Pirgu, tenori i ri shqiptar u shfaq për të përshëndetur publikun, e gjithë salla në brohoritje e sipër, ku shumë Bravo dëgjoheshin nga të gjitha anët u çua në këmbë për të respektuar performacën e tij. Me ta isha dhe unë. Duartrokisja gjithë qejf Saimirin/Edgardon (roli që ai luante) dhe për më tepër isha shumë krenare që ky zoti Pirgu kishte arritur në të tilla suksese duke përfaqësuar popullin dhe vendin tim.
Po populli im nuk e di për këtë. Vendi im dhe media shqiptare hesht. Nuk është lajm që një shqiptar ende vazhdon të korri sukses në skenat më të mëdha të muzikës botërore.
Mbase, ne mjaftohemi me një lajm dhe kënaqemi me pak.
Në vendin tim ku mungojnë figurat artistike të cilat mund të jenë modelë për të rinjtë shqiptarë, të rriturit nuk interesohen.
Në vendin tim, suksesi i arritur me një punë të pastër nuk respektohet dhe aq shumë.
Dhe më pas po mendoja: A ke Shqipëria modelë të aftë për t'i ndjekur? Dh, nëse këta ekzistojnë me të vërtetë, si rasti i Pirgut, a janë këta të prekshëm nga publiku i gjerë?
Nuk arrita të numëroja më shumë se sa gishta më mban një dorë.
Ne harrojmë të kultivojmë shpresën dhe më pas ngrejmë gishtin ndaj atyre që largohen nga ky vend për të gjetur shpresa të reja.
Heshtja e vendit tonë të vogël është frika ndaj rutinës që zë shqiptarin. Më mirë të dëgjojmë për të njëmijtën herë të njëjtën fjali nga një politikan dhe t'i tregojmë brezit të ri që për të qenë i suksesshëm duhet të jesh gënjeshtar dhe dinak, se sa t'i tregojmë që "Të punosh mirë, të kesh talent dhe të dish të përdorësh mundësitë e tua, mund t'ia arrish gjithkund".
Besoj, se për zotin Pirgu, nuk ka ndonjë humbje në këtë mes, humbja është e jona. Krenaria jonë për vendin tonë venitet dita ditës dhe në vend të kthejmë kokën e të shohim për shembuj të këtillë, vazhdojmë pështyjmë mbi pllakatën "Mos Pështyni në Tokë".
Opera "Lucia di Lamermoor" do të vazhdojë të jepet dhe për disa shfaqje të tjera deri më 6 Prill 2014.
E premte 6 Mars 2014
Los Angeles
* Klodeta Buzi është muzikante që punon dhe jeton në Tiranë pranë Akademisë Hollywood.
