Në 30 janar u publikua në media lajmi se një autobus i FRESSH ishte ndaluar në Turqi për shkak se transportonte drogë. Bëhet fjalë për një autobus me 40 aktivistë të FRESSH i cili u ndalua në kufi midis Greqisë dhe Turqisë pasi në të u gjet një sasi lëndësh narkotike.
Menjëherë ky lajm shkaktoi reagimin e politikanëve. Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha e quajti këtë një skandal dhe nënkryetarin e FRESSH Artur Micko që i shoqëronte, si udhëheqës të trafikut të drogës. Ndërsa kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi drejtëpërdrejtë Kryeministrin për këtë ngjarje: “Këtë horrllëk ia shërben ti si model të rinjve dhe të rejave të Fresh. Askush nuk gëzon nga kjo ngjarje, dëshmi tronditese ku është katandisur vendi, me drogën biznes të miqve të tu me trafikantët që i ke sjellë deri në parlament. Ti je përgjegjës e askush tjetër për këtë dramë të vendit.” Ndërsa kryeministri Edi Rama u kundërpërgjigj kështu: "Kur mendon se horrllëku i baltës s'ka ku shkon më tutje, ka prapë edhe më tutje!... Sulmi i baltës sot ndaj Fresshit shembulli më i freskët!"
Në deklaratën e Formunit Rinor të Partisë Demokratike thuhet se autoritetet turke arrestuan shoferin e mjetit dhe shoqëruan në komisariat studentët dhe nënkryetarin e FRESSH, Artur Micko. Mirëpo ky i fundit ka dhënë një tjetër version për nggjarjen. Në llogarinë e tij në Facebook, ai shkruan:
“Një grup prej 35 aktivistësh të FRESSH janë nisur në datë 28 Janar për një udhëtim drejt Stambollit, udhëtim i kryer me një autobuz të kompanise Fenix travel & tours. Në autobuz, përveç 35 aktivistëve të FRESSH, ka patur edhe udhëtarë të tjerë me destinacion të njëjtë. Pasi është kaluar kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndalesa e parë ka qenë në qytetin e Selanikut, ku pasagjerët kanë kaluar natën në një hotel. Ditën e dytë ka nisur udhëtimi nga Greqia në Turqi dhe në kufirin mes dy vendeve autobuzi është ndaluar për t’u kontrolluar. Gjatë kontrollit të mjetit, pasagjeret kanë qëndruar në pikën kufitare, jashtë mjetit. Informacioni i marrë nga autoritetet kufitare ishte se në autobuz dyshohet të jetë gjetur një sasi lënde narkotike e për pasojë shoferi i autobuzit, ndihmës shoferi, guida dhe një tjetër person janë ndaluar nga policia. Pjesës tjetër të pasagjerëve, pasi u janë dorëzuar bagazhet, u është vënë në dispozicion një tjetër mjet që i ka dërguar në destinacion, Stamboll. I gjithë grupi i 35 aktivistëve të FRESSH është në Stamboll ku po vazhdon programin e parashikuar. Asnjë prej të ndaluarve nga autoritetet turke nuk i përket grupit të aktivistëve të FRESSH.
Më vonë ai ka postuar në Facebook një fotografi të të rinjve në Stamboll. Kjo ngjarje është akoma nën hetim nga autoritetet, por duket se nuk është arrestuar asnjë aktivistë i FRESSH.