Nuk është e para herë që na rastis të shohim se në tekstet shkollore shqiptare fëmijët përballen me lloj e soj gafash nga më të çuditshmet.
Së fundmi mësohet se në librin e “Diturisë së natyrës” për klasën e pestë Oqeani Paqësor quhet nga autorët “Oqeani i Qetë”. Në foton e mëposhtme, mund të dalloni fare mirë se si në tekstin në fjalë autorët i referohen briqeve të Paqësorit si "brigjet e Oqeanit të Qetë".
Nëse të lindurit para viteve ’90 nuk e kanë fort të qartë se si i referohej dituria e tyre e natyrës këtij oqeani, atëherë si e lindur pas '90 po ju them me bindje të plotë se kurrë nuk më kishte hasur veshi diçka të tillë. Të paktën jo në tekstet shkollore, që kur isha unë në klasën e pestë nuk zgjidheshin nga shkollat.
Por le të kthehemi tek gafa në fjalë. Nëse kërkojmë minimalisht në të gjithëditurën e kohëve të sotme që mban emrin “Wikipedia”, mund të lexojmë se Oqeani Paqësor e ka marrë emrin për shkak të rrymave të qeta detare nga të cilat karakterizohej. Që në fillim është quajtur nga eksploratori portugez Ferdinand Magellan- i si “Mar Pacifico” që përkthimin e ka “Deti Paqësor”.
Kjo nuk është hera e parë që në tekstet shkollore shqiptare të viteve të fundit nxënësit përballen me "dije" të çuditshme. Pak ditë më parë ju treguam se si në këto tekste u flitej fëmijëve për emra të njohur të showbiz- it si Noizy, personazhe të cilët nxënësit e fillores nuk kanë pse t’i njohin me domosdoshmëri.
Ndaj duke qenë se përgjigjen mbi “Oqeanin e qetë” arrita ta gjeja vetë, a mund të më shpjegojë dikush: Pse po i çmësoni fëmijët nëpër shkolla?