Këto dhjetë vitet e fundit, plot 560 mijë shqiptarë janë pajisur për herë të parë me leje qëndrim në vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të publikuara ditën e sotme nga Eurostat dhe të përpunuara nga Monitor, ky numër përllogaritet të jetë sa 19.5% e popullsisë aktuale të Shqipërisë.
Sipas të dhënave të Eurostat, pjesa më e madhe e lejeve të qëndrimit është lëshuar për arsye familjare. Kështu, Shqipëria ka shënuar rekord në krahahsim me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit.

Rekordi i lejeve të qëndrimit të lëshuara për herë të parë në këto 10 vite u shënua në 2008-n ku sipas Eurostat u pajisën me leje qëndrimi gati 100 mijë shqiptarë. Më pas numri ra, ku në 2013- n kapi nivelin më të ulët prej 31 mijë aplikimesh, por përsëri duke mbajtur rekord në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas 2013-s numri i lejeve të qëndrimit u rrit sërish, nga 2014 deri 2017-n u pajisin me leje qëndrimi për herë të parë rreth 200 mijë shqiptarë. Kjo përkon me valën e re të emigracionit, ku aplikimet për azil në 2015-n arritën mbi 60 mijë.