200 mijë metra katorë në Tiranë janë qendra tregtare. Shifrat janë aq të mëdha, sa Shqipëria konkurron denjësisht me vendet e zhvilluara dhe nuk ka ndërmend të ndalet këtu. Të jera qendra tregtare po planifikohen të ndërtohen në Shqipëri, por sipas Samir Manes, CEO i Balfin Group, diëka e tillë do të ishte një gabim në periudhën në të cilën jetojmë. Kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU) në vitin 2005, ky model i tregtimit me pakicë ishte i panjohur për shumëkënd, që nuk e kishte parë, sa të përhapura ishin ato në vendet e zhvilluara. 12 vjet më pas, gjithçka ka ndryshuar me ritme të shpejta.
Sipërfaqja e qendrave tregtare vetëm në zonën e Tiranës ka arritur në 203 mijë m2, sipas Colliers International, një agjenci ndërkombëtare real estate, për një popullsi prej 860 mijë banorësh. Me një mesatare prej 235 m2 për 1000 banorë, Shqipëria ia kalon edhe vendeve perëndimore, si Italia, Gjermania, Franca, Spanja.
Sot, Mane është i prerë kur thotë se nuk ka më tepër hapësirë për qendra të tjera. Totali për volumin e shitjeve për qendrat tregtare vlerësohet 300 milionë euro në vit. “Nëse hapet një tjetër, fuqia blerëse po aq është dhe rreziku qëndron që rritja e numrit të tyre të sjellë mbingarkim”. Orientimin drejt qendrave të reja, Mane e quan gabim të investitorëve “Unë po të isha nuk do të investoja, të paktën për disa vite”. Ai pohon se do të ketë nevojë, por ecuria e qendrave është paralel me informalitetin. Me uljen e informalitetit, mund të ketë rritje të qendrave.
CEO i Balfin, megjithatë, nuk është i shqetësuar për ecurinë e qendrave të tij, QTU dhe TEG. QTU e ka nxjerrë tashmë investimin dhe sipas të dhënave të bilancit është një nga subjektet më fitimprurëse në vend, me fitime 2.7 milionë euro në 2016-n, me një normë të lartë prej 70% (fitim/ardhura). Edhe TEG, në 2016-n ishte në vitin e dytë të fitimeve, me një normë që arriti në 35%. Të dy qendrat e grupit kanë shënjestruar kryesisht shtesën e ulët e të mesme.
Por, për të tjerët nuk duket të jetë aq e lehtë. City Park, i hapur në vitin 2009, me një ndërtim luksoz dhe që synonte tregun e mesëm, është tashmë në listën e kompanive të falimentuara te Tatimet. Mega Outlet, (ish-Casa Italia), e vendosur në hyrje të kryeqytetit, ka të ardhura minimale nga qiratë prej 500 mijë eurosh dhe fitime prej 42 mijë euro (normë 7.6%).
Më e mirë ka qenë ecuria e Tirana Ring Center, e pozicionuar në zonën e Zogut të Zi, që ka parë një rritje të fortë të të ardhurave në 2016-n.
Vendndodhja ka favorizuar edhe Toptani Shopping Center, më e reja në Tiranë, megjithëse do të duhet të pritet edhe pak për të parë ecurinë. E hapur vetëm pak muaj më parë në qendër të kryeqytetit, drejtuesit e saj i kanë bërë llogaritë e veta në lidhje me tregun.
“Qendra është bazuar në studimin paraprak shumë profesional të tregut, njohjen nga afër të kërkesës së këtij tregu, si dhe target-grupeve të cilave do t’iu drejtohej me një investim të këtij niveli… Aktualisht jemi pozicionuar mirë kundrejt pritshmërive dhe objektivave tona, çka na bën të mendojmë se çdo parashikim apo planifikim është bërë me baza reale të mirë analizuara”, thotë Edlira Xhemali, CEO e Toptani Shopping Center për ‘Monitor’.
Kompania Edil- Al, planifikon të nisë vitin tjetër ndërtimin e një tjetër qendre të re tregtare, të emërtuar “Mall of Albania”. Sipas të dhënave që kompania ka publikuar, sipërfaqja e qendrës do të jetë 69.200 metër katrorë dhe faza e parë pritet të nisë në shtator 2018.
Burimi: Monitor