Së fundmi, bazuar te ngjarjet tronditëse që la pas tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, kryeministri Rama ka kërcënuar vazhdimisht se do të mbyllë mediat. “Paralajmëroj për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se në kushtet dhe kuadrin ligjor të gjendjes së jashtëzakonshme, do jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojmë me lajme të rreme që hapin panik,” shkroi ai në Twitter.
Në një tjetër rast, gjatë takimit të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, kryeministri pati një “përplasje” me Marin Memën, i cili kundështroi deklaratën e kryeministrit se media është skandaloze. “Media nuk është macja e zezë e kësaj historie, se po më duket se po e kërkojmë fajin te media kur ka shumë fajtorë të tjerë në këtë vend që duhet të marrin përsipër fajet e tyre, përpara se të adresojmë fajin te media,” tha Mema. “Media nuk është skandaloze. Media mund të ketë problemet e veta, por unë nuk do të lejoja këtu, për respekt të gjithë kolegëve të mi, të gjitha mediave në vend, kategorizimin si ‘skandaloze’ apo përkufizime të tjera që mua më duken absurde.”
Analisti Lutfi Dervishi, nisur nga përkufizimi që kryeministri i ka bërë mediave, shkroi një artikull ku thekson:
“Media është skandaloze! Kjo është etiketa që kryeministri e ka të gati sa herë i vjen në mendje media. Kanë njerëzit panik- fajin e ka media! Jep dorëheqje kryetarja e bashkisë së Durrësit- fajin e ka gazetarja që e pyet për këtë, se kjo nuk është pyetje. Ka kaos me shpërndarjen e ndihmave- fajin e ka media. Ka njerëz që ikin nga Durrësi dhe Tirana- fajin e ka sërish media! Media skandaloze! Po për cilën media po fjasim? Për median tradicionale? Për televizionet? Për gazetat? Për radiot? Për median e re? Për portalet? Për median e NGO-ve? Për median sociale? Për gazetarët qytetarë? Për ata që janë ‘ndikues’ në mjedisin online?”
Në vijim, ai i merr me radhë të gjitha sektorët e medias, duke shkruar fillimisht për median tradicionale.
“Le t’i marrim me radhë: Media tradicionale, kryesisht televizionet dhe veçanërisht gazetarët në terren gjatë këtyre ditëve kanë bërë një punë tejet të lavdërueshme. Këtu mund të ketë vend kritika për emisionet 'debate' ku klithmat, kacafytjet dhe tonet e ngritura vijojnë a thua se jemi në prag të sezonit turistik dhe jo para një tragjedie të paprecedent dhe jemi ende në aktin e parë të saj.”
Përsa i përket portaleve dhe rrjeteve sociale, Dervishi ndalet te çështja e klikimeve, rasti i 25-vjeçares së arrestuar dhe ndalimi nga policia i dy administratorëve të “Jeta osh qef”.
“Media e re, portalet, bashkuar me rrjetet sociale – në informacionet e tyre janë bazuar kryesisht mbi informacionet që ka përcjellë televizioni. Pjesa e teprimit të tyre nuk është gjë e re. Edhe në këtë moment, të shfaqen tituj: ‘Tjetër tërmet i fuqishëm. Ja sa ballë është’ dhe këtu kërkohen klikime. Klikime me çdo kusht. Le të marrim klikime – pa le të shembet bota! Këtu janë problemet më të mëdha me ç’informimin, lajmet e rreme dhe keqinformimin. Por këtu janë edhe gafat më të mëdha dhe më të papranueshme. Është ndaluar nga policia një vajzë 25-vjeçare (Xhulia Aliaj) për një postim që 'përhap panik', janë ndaluar nga policia dy administratorë të një portali që përveç të tjerave ishte i pari që denoncoi abuzime me ndihma nga zyrtarë të shtetit. Teprimet në rrjetet sociale nuk janë eskluzivitet i Shqipërisë, por përgjigjja më e keqe është-dërgimi i policëve. Policia ka plot punë këto ditë, prokurorët dhe gjykatësit mund të kenë punë, por është absurde të merren me gazetarë qytetarë apo administratorë portalesh! Teprimet e pse jo edhe skandalet- janë çmimi që paguajmë për të qenë të lirë.”
Megjithatë, ai thekson se në portalet online, të paktën te portalet serioze, jo çdo gjë është e zezë, përkundrazi. Portalet kanë transmetuar informacione që nuk janë dhënë në televizion.
“Por edhe online jo çdo gjë është e zezë. Informacione dhe imazhe që nuk i kap kamera e tv dhe gazetari tradicional janë produkt i punës së gazetarëve para kompjuterit.”
“Kur themi media është skandal, jo vetëm marrim një litar dhe lidhim gjithë pyllin, por fyejmë dhjetëra djem e vajza gazetarë që non- stop kanë raportuar edhe në kushte rreziku për jetën. Duke thënë ‘media është skandal’, fyejmë ata që venë emër dhe mbiemër në raportime apo analize, sepse i barazojmë me urithët anonimë që gëlojnë si hijenat. Para se të themi media është skandal le të mendojmë pak para se t’i japim përgjigje pyetjes: Çfarë do të kishim sot nëse nuk do të kishim media? Nuk do të kishim ‘media skandaloze’, por sigurisht do të kishim skandale!” përfundon analisti.