Një gjykatë në Japoni ka dënuar me vdekje një burrë të quajtur "vrasësi i Twitter" për vrasjet në vitin 2017, të nëntë njerëzve me të cilët ai u miqësua në internet, pasi ata i shprehën se kishin menduar të vrisnin veten.
Takahiro Shiraishi, 30 vjeç, pranoi se kishte mbytur dhe copëtuar viktimat e tij, tetë prej të cilave ishin gra, gjatë 3 muajve. Viktima më e re ishte 15 vjeç dhe më e madhja në moshë, 26.
“Asnjë nga viktimat nuk pranoi të vritej, as me një “aprovim të heshtur”, tha gjykatësi Naokuni Yano, sipas kanali NHK. “Është jashtëzakonisht e rëndë që u morën jetët e 9 të rinjve. Dinjiteti i këtyre viktimave u shkel me këmbë.”
NHK tha se 435 njerëz ishinnë radhë për 16 vendet në galerinë publike, të etur për të parë përfundimin e një rasti që tronditi njerëzit dhe iu rikujtoi atyre se sa të vëmendshëm duhet të jenë ndaj rrjeteve sociale, sidomos të rinjtë që po luftojnë me shëndetin mendor.
Shiraishi, i cili kaloi pesë muaj duke iu nënshtruar testeve psikiatrike para se të akuzohej në vitin 2018, përdorte Twitter për të gjetur njerëzit që kishin diskutuar se do i jepnin fund jetës së tyre.
Sipas raporteve të medias, me anë të mesazheve, ai iu premtonte atyre se do zbatonte planin që ata kishin dhe madje do vdiste përkrah tyre.
Profili i tij në Twitter shkruante:
“Unë dua të ndihmoj njerëzit që kanë vërtet dhimbje. Ju lutem më shkruani në çdo kohë. ”
Avokatët e mbrojtjes kishin bërë thirrje që Shiraishi të mos dënohej me vdekje, sepse akuza duhej të ishte “vrasje me pëlqim”, në bazë të mesazheve që viktimat e tij kishin lënë në biseda.
Krimet e Shiraishi dolën në dritë në tetor të vitit 2017, kur oficerët e policisë vizituan apartamentin e tij dhe gjetën frigoriferë dhe kuti mjetesh, që përmbanin mbetje njerëzore, gjatë kërkimit për një grua 23-vjeçare, e cila më vonë u identifikua si një nga viktimat e tij.
Japonia i ka rezistuar presionit ndërkombëtar për të hequr dënimin me vdekje, i cili mbetet i popullarizuar në sondazhet e opinioneve. Të burgosurit e dënuar zakonisht kalojnë vite me radhë në dënimin me vdekje dhe u jepet pak informacion për ekzekutimin e tyre, duke shtuar kritikat nga grupet e të drejtave të njeriut.
Burimi: The Guardian