Ardhja e një prej yjeve të ish-Jugosllavisë, Zdravko Colic si i ftuar tek spektakli "Kënga Ime" është pritur mes gëzimit të fansave të tij dhe kundërshtive të shumë shkruesve në Facebook, kryesisht nga Kosova, disa prej të cilëve, kanë kërkuar bojkotimin e televizionit "Klan". Por kundërshtitë ishin shumë të dobëta, përballë kuriozitetit dhe dëshirës së madhe të mijëra vetëve që të shihnin një prej legjendave të muzikës së lehtë jugosllave, dikur përpara viteve 90-të, shumë i dëgjuar edhe në Shqipëri. Sic na bëjnë të ditur nga stafi i "Kënga Ime" biletat për spektaklin e të shtunës u shitën të gjitha në kohë rekord.
Këngëtari i njohur Sidrit Bejleri, tregoi se ishte një nga fansat e tij të mëdhenj, në foton e publikuar në llogarinë e tij të Instagramit.
Zdravko Colic, me origjinë nga Bosnja, fitoi popullaritet në vitet 70-të. Fillimisht ai u prezantua me grupin Ambasadori, i cili luante këngë të njohura rhythm & blues amerikane dhe angleze. Colic dhe një tjetër pjesëtar i grupit, Vujovic, krijuan më pas Novi Ambasadori dhe e zgjeruan repertorin me interpretime të këngëve R&B dhe rrok.
Pas disa provave si anëtar grupi, në 1972, Colic u prezantua për herë të parë solo, në festivalin e muzikës Vas Slager në Sarajevë. Në atë festival, ai fitoi çmimin e tretë. Por famën si superstar, Colic do ta merrte pas pjesëmarrjes në Eurovizionit të vitit 1973, ku ai u paraqit me këngën "Gori Vatra." Në këtë festival ai nuk pati renditje të mirë, por kënga u bë një hit i jashtëzakonshëm në ish-Jugosllavi.
Sapo u kthye në vend, ai nisi të merrte pjesë nëpër festivale dhe të fitonte çmime të njëpasnjëshme.
Gradualisht, Zlavko u bë aq i famshëm, saqë koncertet e tij të cilët arrinin në 70000 vetë, shiteshin brenda ditës. Shumica e fansave të tij të çmendur, ishin femra. Gjatë luftërave të Jugosllavisë, këngëtari boshnjak mori një pushim të gjatë dhe në fund të viteve 1990, u rikthye në skenë duke rifituar popullaritetin e tij.
Në vitin 2013, ai organizoi një koncert të madh në Sarajevo përpara 60,000 pjesëmarrësve. Në 25 Qershor të vitit 2011, ai zhvilloi në Beograd koncertin më të madh me mbi 100,000 vetë në stadium. Koncerti shënonte 40-vjetorin e karrierës së tij.