Sizmologu Alessandro Amato, drejtues i Qendrës Alert Tsunami, i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologëve gjatë një interviste për Corriere della Sera u shpreh se tragjedia e ndodhur dje (26 nëntor) në vendin tonë, mund të kishte përmasa edhe më të mëdha se kaq.
“Me një magnitudë të tillë mund te kishte 300 viktima. Nuk mund të thuhet se “shkoi mirë”, por mund të kishte qenë edhe më keq."- u shpreh ai, duke krahasuar situatën aktuale me tërmetin e rënë në Amatrice, rënë në gusht të 2016-ës. I pyetur nga gazetarja nëse ky fenomen ishte ose jo i pritshëm, sizmologu u përgjigj:
“Zona ishte tashmë aktive për disa muaj, siç ishte rasti i tërmetit të gushtit në Amatrice, me madhësi 6.0, i cili u pasua nga ai i 30 tetorit me madhësi 6.5 (si ai i Durrësit). Apeninët dhe Alpet Dinarike janë dy anët e së njëjtës pllakë, pllaka Adriatik, një grup blloqesh gjeologjike që lëviz drejt veriut dhe rrotullohet në drejtim të kundërt të akrepave të orës."
Duke qenë se epiqendra ishte në Adriatik, paniku i çoi njerëzit drejt mendimit të një cunami të mundshëm, por sizmologu e përjashtoi me siguri diçka të tillë.
“7 minuta nga tërmeti, ne dërguam një alarm nga Qendra e Alertit Tsunami, por nuk kishte asnjë problem dhe ne e tërhoqëm. Ndodhi sepse epiqendra ishte nëntokësore dhe jo në det."
Përsa i përket situatës në vijim, Alessandro Amato tha se do të ketë pasgoditje të tjera, të cilat mund të vijojnë për muaj me radhë, madje edhe vite.
"Sipas të dhënave statistikore do të ketë pasgoditje të tjera. Vetëm dje kanë qenë 250 dhe do të vijojnë për muaj dhe vite. Eshtë normale. Me kalimin e kohës ato zvogëlohen në numër dhe madhësi, me një ligj pak a shumë të njohur, por nëse do të ketë më të fortë, kjo nuk është për t’u përjashtuar."
Artikuj të tjerë që mund të lexoni: Për çfarë kanë nevojë URGJENTE të prekurit nga tërmeti!
Numrat e llogarive bankare në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti