
Me afrimin e dimrit, shumë njerëz ndjejnë lodhje, mungesë energjie dhe trishtim të pashpjegueshëm. Kjo gjendje njihet si çrregullimi afektiv sezonal (seasonal affective disorder - SAD), një formë depresioni që shfaqet zakonisht gjatë muajve të ftohtë, kur ditët janë më të shkurtra dhe drita e diellit është e pakët.
Sipas psikiatrit Norman Rosenthal, i cili identifikoi këtë çrregullim në vitet 1980, rreth 5% e amerikanëve vuajnë nga SAD çdo vit. Gratë janë rreth katër herë më të predispozuara për ta përjetuar krahasuar me burrat. Shumica ndjejnë përmirësim të ndjeshëm sapo kthehet pranvera dhe rritet ekspozimi ndaj dritës natyrore.
Simptomat e zakonshme
SAD karakterizohet nga një sërë simptomash që përfshijnë:
- rënie të humorit dhe ndjesi të vazhdueshme trishtimi
- lodhje dhe mungesë motivimi
- gjumë i shtuar gjatë ditës
- dëshirë e fortë për ushqime të ëmbla dhe me karbohidrate
- humbje interesi për aktivitete që dikur sillnin kënaqësi
Ndryshe nga depresioni klasik, këto shenja ndjekin një ritëm sezonal, duke u përkeqësuar në dimër dhe zhdukur në verë.
Shkencëtarët besojnë se mungesa e dritës natyrore është faktori kryesor që shkakton SAD. Drita diellore ndikon drejtpërdrejt në prodhimin e melatoninës dhe serotoninës, dy substanca që rregullojnë gjumin dhe humorin. Kur ditët janë më të errëta, ritmet tona biologjike - të njohura si “ora e brendshme” - prishen, duke çuar në gjendje depresive dhe mungesë energjie.
Këshillat e ekspertit për ta shmangur këtë gjendje
Përdorni terapi me dritë çdo ditë: Rosenthal rekomandon përdorimin e një pajisjeje “light box” me dritë të bardhë, me intensitet rreth 10,000 lux, për 30 minuta çdo mëngjes. Kjo ndihmon në rregullimin e ritmeve të gjumit dhe në përmirësimin e humorit.
Dilni jashtë dhe shijoni dritën natyrore: Edhe në ditë me re, drita natyrore ka efekt pozitiv. Ecjet në mëngjes ose gjatë drekës janë një mënyrë e thjeshtë për të marrë energji dhe për të balancuar prodhimin e melatoninës dhe serotoninës.
Mbani trupin aktiv: Aktiviteti fizik, si ecja, yoga, vrapi apo çfarëdo lloj ushtrimi që ju pëlqen, është një nga mënyrat më të fuqishme për të luftuar simptomat e depresionit sezonal. Lëvizja nxit qarkullimin e oksigjenit.
Meditoni dhe praktikoni ndërgjegjësim (mindfulness): Rosenthal thekson se meditimi i përditshëm ndihmon në reduktimin e stresit dhe në përforcimin e rezistencëns emocionale gjatë muajve të dimrit.
Ruani lidhjet shoqërore: Ndjenja e izolimit shpesh e përkeqëson gjendjen. Përdorni takime, telefonata apo edhe aktivitete të vogla me miqtë për të qëndruar në kontakt me të tjerët.
Kërkoni ndihmë profesionale nëse është e nevojshme: Në raste më të rënda, Rosenthal sugjeron terapi konjitive të sjelljes ose mjekim, gjithmonë nën kujdesin e një specialisti të shëndetit mendor.


