
Kam frikë nga ataket e panikut, ndihen të forta dhe të frikshme. Por kur kupton çfarë i shkakton dhe si t’i menaxhosh, ato nuk kanë më të njëjtin pushtet mbi ty.
E zbulojmë si:
1. Si ndihen ataket e panikut?
2. Si kalon njeriu nga frika në çrregullim?
3. Sjellje dhe reagime tipike nga ataket e panikut
4. Ndihma dhe trajtimi
1. Si ndihen ataket e panikut?

Ndihesh sikur trupi yt po përfshihet nga një rrymë elektrike me tension të lartë, frymëmarrja jote vështirësohet dhe mendja nxiton duke kërkuar një zgjidhje për ato ndjesi të pashpjegueshme.
Nevoja për ndihmë, mbrojtje, dhe lufta për t’i shpëtuar asaj situate, pengojnë çdo përpjekje për të kontrolluar veten dhe reagimet e tua.
Pastaj, papritmas, gjithçka mbaron, duke lënë të njëjtën ndjenjë shkatërrimi të prodhuar nga një cunami, në këtë rast, një psikologjik.
2. Si kalon njeriu nga frika në çrregullim?

Frika bëhet çrregullim kur mekanizmi ynë natyror i alarmit të rrezikut nuk fiket më në kohë dhe fillon të reagojë edhe kur jemi realisht të sigurt.
Zakonisht nis nga një situatë konkrete (një frikë natyrore, një ngjarje stresuese, një simptomë fizike), ku trupi ynë reagon fort: zemra rreh shpejt, mendja mendon “jam në rrezik”, muskujt tendosen.
Nëse ky përjetim na tremb shumë, truri e regjistron: “kjo situatë është super e rrezikshme”. Herën tjetër, mjafton një kujtesë e vogël, një vend, një mendim, një ndjenjë në trup dhe alarmi ndizet sërish, shpesh edhe më fort.
Njeriu fillon të shmangë: nuk del, nuk hipën në makinë, nuk merr ashensorin, nuk prek objekte të caktuara, nuk përballet me njerëz. Kjo shmangie e çon trurin të besojë edhe më shumë që rreziku qenka realisht aty.
Me kalimin e kohës, frika zgjeron territorin e saj, ndikon tek gjumi, puna, marrëdhëniet dhe liria e përditshme dhe aty flasim jo më për një frikë natyrore, por për një çrregullim ankthi, fobi apo OCD. Ku frika nuk na mbron më, por na pengon të jetojmë.
3. Sjellje dhe reagime tipike nga ataket e panikut

Duke analizuar reagimet më të zakonshme ndaj një perceptimi të frikës intensive, vërejmë disa përsëritje të vazhdueshme në njerëz dhe situata të ndryshme:
Kur njeriu përjeton një frikë shumë të fortë, shpesh reagon në disa mënyra që, pa e kuptuar, e ushqejnë edhe më shumë këtë frikë.
Së pari, fillon ta shmangë çdo gjë që e frikëson, vende, situata, njerëz, mendime. Por sa më shumë shmang, aq më i paaftë ndihet për t’u përballur, ndërsa “përbindëshi” në mendje bëhet gjithnjë e më i madh.
Së dyti, kërkon vazhdimisht sigurime dhe mbrojtje nga të tjerët (telefonata, mesazhe, shoqëri, kontrolle). Në fillim e qetësojnë, por në plan afatgjatë e mësojnë trurin se “vetë nuk ia dal dot, kam nevojë patjetër për dikë tjetër” pra ia delegon fuqinë tjetrit.
Së treti, mund të mundohet me çdo kusht të kontrollojë trupin e vet (zemrën, frymëmarrjen, dridhjet), por sa më shumë përpiqet t’i kontrollojë, aq më shumë rritet ankthi dhe duket sikur po humb kontrollin.
Këto tre mekanizma, shmangia, mbështetja e tepruar tek të tjerët dhe lufta për të kontrolluar çdo simptomë fizike, e mbajnë frikën gjallë dhe e kthejnë pak nga pak në një çrregullim.
4. Ndihma dhe trajtimi
Kur një person arrin të ndalojë këto reagime jofunksionale, shmangien, kërkimin e vazhdueshëm të sigurisë dhe përpjekjet për të kontrolluar trupin, atëherë edhe frika fillon të rikthehet në formën e saj normale, atë që thjesht na paralajmëron por nuk na paralizon.
Nëse këto tre sjellje janë ato që e kthejnë frikën në panik, atëherë heqja dorë prej tyre është hapi kryesor për ta zhdukur vetë çrregullimin.
Shembull:
Marrim një person që ka pasur një sulm paniku në supermarket. Që prej asaj dite ai nuk shkon më atje (shmangie), merr dikë gjithmonë me vete për çdo dalje (kërkim ndihme) dhe kontrollon vazhdimisht frymëmarrjen që të mos “i ndodhë përsëri” (përpjekje për kontroll).
Nëse gjatë trajtimit mëson të kthehet gradualisht në supermarket, të shkojë vetë dhe të lejojë trupin të qetësohet pa luftuar simptomat, paniku fillon të zbehet, sepse truri mëson sërish se nuk ka rrezik real.
Për ta bërë këtë proces të sigurt dhe të suksesshëm, nevojitet ndihma e një psikologu, i cili krijon një plan ndërhyrjeje të personalizuar sipas historisë, nevojave dhe ritmit të personit.
Terapia i jep njeriut mjetet që t’i rikthejë vetes fuqinë dhe ta rikthejë frikën në vendin e saj natyral, një sinjal mbrojtës, jo një armik.

Përmbledhje
Frika është një dhunti natyrore që na paralajmëron dhe na mbron, shpesh duke vepruar më shpejt se vetë mendja. Ajo na orienton me saktësi përballë rrezikut dhe na ndihmon të marrim vendime të menjëhershme.
Por kur frika aktivizohet përtej kufijve të saj funksionalë, ajo fillon të pushtojë çdo gjë tjetër. Arsyeja zbehet, balanca humbet dhe mekanizmi mbrojtës shndërrohet në panik.
Në thelb, nuk është ankthi që krijon frikën, por frika që ndez reagimin fiziologjik të ankthit.
Sa më shumë të rritet perceptimi i kërcënimit, aq më intensiv bëhet ky reagim. Duke e transformuar një mekanizëm normal aktivizimi në një gjendje të dhimbshme humbjeje kontrolli.
Nëse frika po ju kufizon dhe po ndikon në funksionimin tuaj të përditshëm, kërkimi i ndihmës profesionale është hap i rëndësishëm. Me vlerësimin dhe trajtimin e duhur, frika mund të rikthehet në rolin e saj natyral: si mbrojtëse, jo si pengesë.
Ky artikull është shkruar nga ekspertët e Psikologu Online, platformës së parë profesionale të terapive online në gjuhën shqipe, e cila operon që prej vitit 2019 duke ofruar shërbime psikologjike të specializuara dhe standarde të larta etike. Për më shumë informacion rreth shërbimeve, profesionistëve dhe mënyrës së funksionimit të terapisë online, mund të vizitoni: www.psikologuonline.al.