Shkrimtari hungarez László Krasznahorkai, i njohur për romanet e tij filozofike dhe me humor të zymtë që shpesh zhvillohen në një fjali të vetme, është fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë për “veprën e tij magjepsëse dhe vizionare që, në mes të një tmerri apokaliptik, rikonfirmon fuqinë e artit.”
Krasznahorkai, 71 vjeç, është “një shkrimtar i madh epik në traditën e Europës Qendrore që shtrihet nga Kafka deri te Thomas Bernhard, e karakterizuar nga absurdi dhe tepria groteske”, thuhet në deklaratën e jurisë.
Disa nga veprat e tij, përfshirë “Satantango” dhe “The Melancholy of Resistance”, janë përshtatur në filma nga regjisori hungarez Béla Tarr.
Krasznahorkai, 71 vjeç, ka fituar shumë çmime, përfshirë Çmimin Ndërkombëtar Man Booker në vitin 2015. Juria e atij çmimi e vlerësoi për “fjalitë e tij të jashtëzakonshme, me tone që kalojnë nga ironia në dëshpërim.”
Çmimi Nobel për Letërsi është dhënë nga Komiteti Nobel i Akademisë Suedeze 117 herë, për gjithsej 121 fitues. Fituesja e vitit të kaluar ishte autorja koreano-jugore Han Kang, për veprën e saj që, sipas komitetit, “përballet me traumat historike dhe nxjerr në pah brishtësinë e jetës njerëzore.”
Ky është çmimi i katërt Nobel që shpallet këtë javë, pas atyre në mjekësi, fizikë dhe kimi për vitin 2025.
Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe do të shpallet të premten.