
Stine ishte i ftuar së fundmi në emisionin “Jo Veç Kullera” në Andale Media, ku në një bisedë të hapur me të rinjtë u pyet edhe për një bashkëpunim të mundshëm me Flori Mumajesin. Pyetjes së drejtpërdrejtë “çfarë mendon për një bashkëpunim me Florin?”, ai iu përgjigj me buzëqeshje:
All - Paragraf - 2“Pse jo? Pse mos ta bënim? Ne kemi qenë dhe shokë para se të bënim muzikë, kështu që s’ka asnjë arsye [përse mos të bashkëpunonim].”
Kjo përgjigje e Stines, e dhënë me qetësinë të madhe, vjen pas një historie të koklavitur mes dyshes së artistëve që daton që nga viti 2015, në finalen e Festivalit “Kënga Magjike”.
Në atë kohë, dy artistët patën një përplasje fizike shumë të komentuar, që burimet treguan se filloi si pasojë e votave që secili dha për këngën e tjetrit: Stine i dha Florit 26 pikë, ndërsa Flori i dha Stines vetëm 2. Incidenti kulmoi me një moment tensioni ku Stine goditi Florin me një gotë në fytyrë, duke e lënduar atë. Megjithëse fotot e Florit pas kësaj ngjarjeje tregonin se kishte ndodhur një përplasje e rëndë, Stine në polici deklaroi se Flori ishte vetëplagosur.
Tre vite pas këtij sherri, në emisionin “Mirage”, Stine la të kuptohej se marrëdhënia mes tyre kishte filluar të përmirësohej. Kur u pyet se kë do të zgjidhte mes Alban Skënderajt dhe Florit, ai u përgjigj thjesht “të dy”, shoqëruar me një shkelje syri, një sinjal i qartë se mbase gjithçka kishte ndryshuar për mirë mes tyre.
Tani, plot 10 vite më vonë, Stine vazhdon të jetë aktiv në muzikë me projekte solo, bashkëpunime me artistë të rinj, bashkëshorten e tij, Graciela, dhe duke marrë pjesë edhe në festivale të njohura si “Kënga Magjike” dhe “Festivali i Këngës”.
Ndërkohë, Flori Mumajesi ka pasur disa periudha larg muzikës dhe skenës publike, me largime të përkohshme nga rrjetet sociale, përfshirë fshirjen e këngëve të tij nga platformat online, të cilat vetëm në fillim të këtij viti ai vendosi t'i rikthejë përsëri.
Ndonëse bashkëpunimi muzikor mes dy artistëve mbetet një rast hipotetik, nga Stine kuptuam se ai nuk do thoshte "jo" nëse do të vijë dita që fjalët të vendosen në zbatim. Tani, mbetet vetëm të shohim nëse edhe Flori ndihet po njësoj.