News

OKB-ja për situatën në Gaza: “Është gjenocid! Askush nuk mund të shtiret sikur po çuditet”

OKB-ja për situatën në Gaza: “Është gjenocid!
Getty Images

Eksperti i OKB-së që paralajmëroi i pari se Izraeli po organizonte një fushatë urie të qëllimshme masive në Gaza që më shumë se 500 ditë më parë, ka deklaruar se qeveritë dhe korporatat nuk mund të pretendojnë se janë të befasuara nga tmerri që po zhvillohet aktualisht.

“Izraeli ka ndërtuar makinerinë më efikase të urisë që mund të imagjinohet. Ndaj, edhe pse është gjithmonë tronditëse të shohësh njerëz që po vdesin nga uria, askush nuk duhet të hiqet si i habitur. I gjithë informacioni ka qenë i hapur për publikun që në fillim të vitit 2024,” tha Michael Fakhri, raportuesi special i OKB-së për të drejtën për ushqim, për The Guardian.

“Izraeli po e vdes urie Gazën. Është gjenocid. Është krim kundër njerëzimit. Është krim lufte. E kam përsëritur dhe përsëritur pa pushim”, shtoi Fakhri.

Më 9 tetor 2023, dy ditë pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, shpalli një “rrethim të plotë” të Gazës dhe deklaroi se do të ndalonte furnizimin me energji elektrike, ushqim, ujë dhe karburant. Deri në dhjetor 2023, sipas të dhënave të OKB-së dhe agjencive ndërkombëtare të ndihmës, 80% e njerëzve në botë që përjetonin uri katastrofike ishin në Gaza.

Sot, uria e përhapur, kequshqyerja dhe sëmundjet po shtyjnë në rritje të shpejtë numrin e vdekjeve të lidhura me urinë në të gjithë Gazën. Sipas Nismës së Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC), më shumë se 20,000 fëmijë u shtruan në spital për kequshqyerje të rëndë midis prillit dhe mesit të korrikut.

IPC paralajmëroi këtë javë se “skenari më i keq i urisë është duke ndodhur aktualisht” në të gjithë Rripin e Gazës.

Fakhri ishte ndër të parët që paralajmëroi për urinë e afërt dhe për nevojën për veprim urgjent, për të ndaluar Izraelin që të urisë 2 milionë njerëz në Gaza.

Në një intervistë për Guardian më 28 shkurt 2024, ai deklaroi:

“Nuk kemi parë kurrë një popullatë civile që të shkojë kaq shpejt dhe kaq plotësisht drejt urisë. Për këtë, kemi rënë në një mendje me ekspertët e urisë... Heqja e qëllimshme e aksesit të ushqimit është qartazi krim lufte. Izraeli ka shpallur synimin për të shkatërruar popullin palestinez, tërësisht ose pjesërisht, vetëm sepse janë palestinezë... kjo është tani një situatë gjenocidi”.

Muajin pasues, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) njohu rrezikun e gjenocidit në Gaza dhe tërhoqi vëmendjen për “përhapjen e urisë dhe kequshqyerjes”. ICJ kërkoi nga Izraeli të marrë menjëherë masa efektive, në bashkëpunim me OKB-në, për të siguruar akses të papenguar për ndihmën humanitare, përfshirë ushqim, ujë, strehim, karburant dhe ilaçe.

Në maj, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i mbrojtjes Gallant u bënë personat e parë që u akuzuan zyrtarisht nga një gjykatë ndërkombëtare për urinë të qëllimshme – një krim lufte.

Në korrik 2024, një grup ekspertësh të OKB-së përfshirë Fakhri shpallën “krizën e urisë” pasi u raportuan vdekjet e para nga uria në Gaza. Ai gjithashtu publikoi një raport të detajuar për OKB-në mbi kontrollin shumëvjeçar të Izraelit mbi prodhimin dhe furnizimin ushqimor për palestinezët; kontroll që do të thoshte se 80% e banorëve të Gazës vareshin nga ndihma në momentin që Gallant shpalli rrethimin në tetor 2023.

Megjithatë, pak ose aspak veprime janë ndërmarrë për të ndalur urinë ndaj palestinezëve; një qëllim që Izraeli e ka arritur përmes shkatërrimit sistematik të prodhimit vendor të ushqimit (serave, plantacioneve, tokave bujqësore) dhe bllokimit të ndihmës, në shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Sipas Fakhri-t, kjo është arsyeja pse uria ka zënë rrënjë në Gaza:

 “Uria është gjithmonë politike, gjithmonë e parashikueshme dhe gjithmonë e shmangshme. Ne nuk i “vdesim urie” njerëzit; ne i lëmë pa ushqim dhe kjo çon në krizë urie nëse nuk ndërmerret veprim politik për ta parandaluar.”

Më tej, shtoi:

“Por ta paraqesësh urinë masive si pasojë vetëm të bllokadës së fundit është keqkuptim i thellë i mënyrës se si funksionon uria dhe çfarë po ndodh në Gaza. Njerëzit nuk fillojnë papritur të vdesin nga uria, fëmijët nuk humbnin peshë kaq shpejt; kjo ndodh sepse ata janë dobësuar qëllimisht për një kohë të gjatë. Vetë shteti i Izraelit ka përdorur ushqimin si armë që prej krijimit të tij. Ka mësuar ta shtrëngojë apo lirojë ‘makinerinë e urisë’ sipas presionit; këtë e ka përsosur prej 25 vitesh.”

Pavarësisht imazheve tronditëse të palestinezëve që u duket veç skeleti, qeveria izraelite dhe disa aleatë të saj vazhdojnë të këmbëngulin se "uria është pasojë e problemeve logjistike, jo e politikës shtetërore", sipas deklaratës që bëri gjatë javës së kaluar Benjamin Netanyahu.

UNICEF është ndër agjencitë që kanë konfirmuar se kequshqyerja dhe uria janë përshkallëzuar që në mars 2025, kur Izraeli shkeli në mënyrë të njëanshme armëpushimin e dakordësuar pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Izraeli rivendosi bllokadën e plotë pasi lejoi përkohësisht disa kamionë ndihme gjatë armëpushimit; ndihmë që sipas OKB-së dhe organizatave humanitare, nuk mjaftonte kurrë për të përmbushur nevojat e popullsisë së uritur, të sëmurë dhe të dobësuar.

Në maj, Gaza Humanitarian Foundation (GHF), një grup logjistik i mbështetur nga Izraeli dhe administrata Trump, filloi operacionet me siguri të armatosur të ofruar nga kontraktorë privatë dhe ushtria izraelite. U autorizua të zëvendësonte 400 qendra shpërndarjeje të OKB-së me vetëm 4 në të gjithë Gazën, si reagim ndaj pretendimeve të paqena se ndihmat po përdoreshin nga Hamasi.

OKB-ja dhe qindra organizata të ndihmës e dënuan këtë veprim si militarizim të ndihmës dhe shkelje të standardeve humanitare. Më 1 qershor, ushtarët izraelitë vranë 32 persona në qendrat e GHF-së, dhe që atëherë mbi 1,300 palestinezë të uritur janë vrarë, teksa përpiqeshin të merrnin ushqim.

Izraeli ka punuar për të diskredituar dhe dobësuar OKB-në dhe mekanizmat ndërkombëtarë si gjykatat, që i konsideron si armiqësorë ndaj aneksimit de facto të territoreve palestineze, duke i akuzuar për anti-semitizëm.

“Kjo është përdorja e ndihmës jo për qëllime humanitare, por për të kontrolluar popullatat, për t’i zhvendosur, poshtëruar dhe dobësuar si pjesë e taktikave ushtarake. GHF është kaq e frikshme sepse mund të jetë versioni i ri, i militarizuar dhe distopik i ndihmës në të ardhmen,” tha Fakhri.

GHF, në një deklaratë, mohoi raportimet për vdekjet e palestinezëve si “statistika të rreme dhe të ekzagjeruara” dhe akuzoi OKB-në për mosveprim.

“Nëse OKB-ja dhe grupet e tjera do të bashkëpunonin me ne, do të mund të ndalonim urinë, dëshpërimin dhe incidentet e dhunshme pothuajse brenda natës. Mund të shtonim qendrat e shpërndarjes dhe të forconim shpërndarjen e drejtpërdrejtë në komunitete që GHF po monitoron aktualisht.”

Vdekjet nga uria dhe masakrat në qendrat e ndihmës vijnë pasi të paktën 60,000 palestinezëve të vrarë nga bombat dhe tanket izraelite. Studime të ndryshme kanë arritur në përfundimin se numri real i viktimave është ndjeshëm më i lartë dhe Izraeli vazhdon të mohojë hyrjen e gazetarëve dhe studiuesve ndërkombëtarë në Gaza.

Fakhri dhe ekspertë të tjerë të OKB-së kanë bërë thirrje të përsëritura që shtetet anëtare dhe korporatat të ndërmarrin masa për të ndalur bombardimet dhe urinë, përmes ndërprerjes së ndihmës financiare dhe ushtarake dhe sanksioneve të gjera ekonomike dhe politike ndaj Izraelit.

“Po shoh gjuhë më të fortë politike, më shumë dënime, më shumë plane të propozuara, por pavarësisht ndryshimeve në retorikë, ne ende jemi në fazën e mosveprimit. Politikanët dhe korporatat nuk kanë asnjë justifikim, janë vërtet për të ardhur turp. Fakti që miliona njerëz po mobilizohen tregon se e gjithë bota e kupton se sa shumë vende, kompani dhe individë janë bashkëfajtorë.”

Fakhri argumenton se, duke qenë se SHBA ka bllokuar vazhdimisht rezolutat për armëpushim në Këshillin e Sigurimit, është detyrë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të kërkojë vendosjen e forcave paqeruajtëse për të shoqëruar ndihmat humanitare në Gaza.

 “Ata kanë shumicën e votave dhe më e rëndësishmja, miliona njerëz po e kërkojnë këtë. Njerëzit e zakonshëm po përpiqen të thyejnë një bllokadë të paligjshme për të dorëzuar ndihmë humanitare, për të zbatuar ligjin ndërkombëtar që qeveritë e tyre po dështojnë ta zbatojnë. Për çfarë tjetër i kemi paqeruajtësit, nëse jo për të ndaluar gjenocidin dhe për të parandaluar urinë?”.

REELS

Unë kur shoh kushërirën e preferuar në një event familjar

Ups! Gjesti ironizon puthjen e Stresit 👀

Prapaskenat e fotove të pushimeve 😂

Mos e provoni në shtëpi! Know your limits 🫸🏻

Shembulli se çfarë bën disiplina

Kjo vajzë filmoi veten duke ngrënë ushqimin e fundit që nëna e saj kishte gatuar përpara se të ndërronte jetë dhe videoja u bë virale

Xhensila dhe Ledri takojnë Duan 😌

Shawn Mendes performon në Sunny Hill 😍😍😍

“Vicky Cristina Barcelona” nga Woody Allen Me: Scarlett Johansson, Rebecca Hall, Javier Bardem, Penélope Cruz Zhanri: Komedi romantike-dramatike Viti: 2008

Do të ndihesh skin-tastike?💖 E po, lëkura jote meriton pushime po aq sa ti! 😍Prandaj mos i humb ofertat e @skiniqclinique këtë gusht: ✨ Epilim me lazer Clarity II – 30% ulje ✨ Paketa me 6 seanca – 50% ulje 🌞 Gushti është për lëkurë të butë, jo për brisqe!

----news/83689/okb-ja-per-situaten-ne-gaza-shte-gjenocid-askush-nuk-mund-te-shtiret-sikur-po-cu-i83689