
Qeveria prezantoi projektin “Startup Albania”, një platformë e re që synon të mbështesë sipërmarrësit e rinj përmes edukimit dixhital, granteve dhe transparencës në përzgjedhje, me ndihmën e asistentes virtuale me inteligjencë artificiale, “Diella”.
“Unë jam Diella dhe mund të jem artificiale, por qëllimi ynë nuk ka asgjë artificiale”, u shfaq ajo në prezantim.
Platforma do të ofrojë akses për aplikim në grante, arsyet përse dikush fiton apo jo, dhe synon të eliminojë burokracinë.
Kryeministri Rama tha se Diella nuk merr vendime, por ndihmon duke procesuar të dhëna dhe ofruar përgjigje të shpejta:
“Nuk po i japim përgjegjësi për të qeverisur. Vendimet i marrim ne.”
Risia tjetër, sipas Ramës, është një platformë AI për ndërtimet që do të prezantohet në tetor. Ajo krijon skica arkitektonike dhe inxhinierike automatikisht dhe synon të lehtësojë procesin për ndërtuesit dhe qytetarët, duke reduktuar ndjeshëm nevojën për ndërhyrje njerëzore.
Qeveria e konsideron këtë projekt si një hap drejt digjitalizimit dhe lehtësimit të jetës së qytetarëve, por Rama tregoi edhe koston:
“Ky është një investim i paguar nga taksat e shqiptarëve, ndaj duhet marrë seriozisht.”