
"Nuk e di a i ka ndodhur dhe ndonjë prindi tjetër, por unë s’e njoh më vajzën time që kur filloi të shoqërohet me një vajzë të re. E njoh shoqen, se janë në të njëjtën klasë në gjimnaz, por vajza ime ka ndryshuar 180 gradë që pasi është afruar shumë me të.
Tani s'flet me mua për asgjë. Vetëm kur do diçka. Ka filluar të veshë gjëra të ekzagjeruara, bën grim në mëngjes para shkollës, telefonin s'e lëshon nga dora, rri me orë në TikTok dhe gjithë kohën është e shqetësuar se s’i ka dalë mirë videoja që postoi me shoqen. Detyrat e shkollës i ka lënë pas dore, madje më ka thënë mësuesja që shumë herë s'i bën fare.
E di që "është mosha, është brezi" dhe ndoshta do thoni "thjesht ndaloja shoqërinë me vajzën" apo "rriji mbi kokë". Po nuk është kaq e thjeshtë. Si t’ia ndalosh një vajze 15-vjeçare të ketë shoqërinë e vet dhe t'i rrish si xhandar për çdo hap që hedh? Sa herë ia kam përmendur si temë, më ka shpërthyer: “Ti nuk më kupton! Pse më kontrollon gjithmonë?!”
Dhe në fakt, ndoshta ajo ka të drejtë. Jo për mënyrën si reagon, por për ndjesinë që unë dua ta kontrolloj. Se më tremb ideja që ajo mund të ndikohet, që ajo mund të harrojë vlerat me të cilat e kam rritur. Se më kujtohet kur më ndihmonte të bëja punë të vogla shtëpie apo kur ndiqte shembullin e prindërve të vet dhe kopjonte veprimet tona, si leximi para darkës. Tani është totalisht... e largët dhe flet me fjalë që ne as nuk ia kuptojmë dot më.
Unë nuk e dua fare atë shoqen, për të thënë të drejtën. Kam parë dhe të ëmën e saj në një nga takimet e shkollës, më fliste me një ironi që ia ndieja që në tonin e zërit. Nuk është se dua ta gjykoj, por ajo më dha atë ndjesinë e njeriut që e konsideron veten mbi të tjerët. Dhe ndoshta kjo ndikon dhe te vajza ime, që tani do iPhone-in e fundit, apo pushime të vlefshme për t'u hedhur në "feed"-in e Instagramit.
Kohët e fundit, nga "e keqja" kam filluar t'i shikoj gjërat ndryshe. Ka raste kur më shkon mendja ta largoj vajzën nga ajo shoqëri, por pastaj më kujtohet vetja ime në gjimnaz, edhe unë kam pasur shoqe që prindërit e mi s’i pëlqenin. Dhe pas një viti, jeta na ndau vetë. Ndoshta ndodh dhe kësaj here. Apo ndoshta jo.
Nëse ka një gjë që kam mësuar si nënë, është kjo: nuk na takon ne t’i zgjedhim miqtë e fëmijëve tanë. Na takon të jemi pranë kur këto shoqëri i ndryshojnë, e të kujtojmë se jemi gjithmonë pas tyre, si hije, si strehë. Sado e tmerrshme të jetë kjo, sado e vështirë për njerëz si unë, që siç thotë dhe ime bijë, jemi "control freaks". Do të vlerësoja çdo mendim nga prindërit e tjerë, faleminderit," shkruar për Anabel, për rubrikën "Mes nesh", nga një nënë e sinqertë.
Nëse dëshiron edhe ti të ndash një letër, mesazh apo shqetësim, mund të na shkruash në inbox-in e Instagramit tonë.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.