Travis Kelce, në episodin e ri të podkastit të tij, “New Heights”, foli për herë të parë për fejesën me Taylor Swift, përballë vëllait të tij, Jason. Çifti publikoi javën e kaluar fotot nga propozimi intim dhe i mirëmenduar, duke thyer rrjetin!
Jason nisi episodin duke i thënë vëllait të tij: “Duhet të flasim për këtë (fejesën),” dhe Travis u përgjigj me shaka: “Nuk mendoj se duhet”, por gjithsesi, i vëllai vijoi ta përgëzonte. Gjithsesi, pas gjithë ndërveprimit, Travis na tregoi një këshillë për fejesën perfekte, e cila ka shumë kuptim!
“Duhet ta njohësh të dashurën ose gjysmën tënde më të mirë. Duhet ta njohësh! Nuk mund ta bësh (propozimin) si dikush tjetër”, u shpreh ai, duke vijuar se në fakt, përshtatet momenti me njeriun e dashur.
Nëse ke menduar të kopjosh një propozim, të lutem, mos e bëj!
Jason ra dakord, duke u shprehur se nuk mund të lexosh në një revistë se si të bësh propozimin. “Propozimet e tjera mund të të ndezin kreativitetin, por përshtate dhe gjithçka tjetër do të jetë e bukur”, vijoi Travis.
Travis i propozoi Taylor në një kopsht të mbushur me lule, të cilin më vonë babai i tij zbuloi se ishte në oborrin e pasmë të shtëpisë së tyre në Kansas.
Sipas Page Six, gjithçka po bëhej gati ndërsa Taylor njoftoi publikimin e albumit të saj të ri “The Life of a Showgirl” në podkastin e partnerit. Menjëherë pas përfundimit të xhirimeve, ai u ul në gjunjë, bëri pyetjen e madhe dhe mori si përgjigje “po-në” e shumëpritur.
Travis u shpreh se kishte shumë qejf ta quante Taylor “të fejuar”, madje, ai e ndjeu se duhet ta bënte hapin e madh kur e prezantoi partneren me miqtë e skuadrës.
“Ishte hera ime e parë që prezantoja Taylor-in si të fejuarën time për disa nga shokët e skuadrës. Pra po, ishte shumë bukur… ende ndihem i gëzuar, moment emocionues”, u shpreh ai.
E po, të paktën presim që albumi i radhës të jetë i përqendruar te dashuria me fund të lumtur!