Një status në Facebook i Marsela Çibukajt nuk mundi të kapërcehej lehtë nga Samanta Karavella. Çibukaj kritikoi videoklipet "reggae alla albanezçe" si këngë të cekëta që fokusohen më shumë tek hiret e këngëtareve se tek kuptimi artistik. Ky status u mor si personal nga Samanta Karavella, e cila sapo ka publikuar këngën "Si Ai" në rrymën reggae.

Menjëherë, Samanta i ktheu një përgjigje këtij statusi, duke i kërkuar drejtpërdrejtë Marselës të kërkojë suksesin e vet, sepse vetë tashmë e ka gjetur.
"Nuk kam dashur t'i kushtoj ndonjëherë rëndësi këtyre statuseve përgjatë gjithë viteve të mia në muzikën shqiptare, por kur bëhet fjalë për një kolege që ka shprehur vlerësimin për zërin tim dhe dashamirësi ndaj meje, s'mund ta anashkaloj.
Do të kisha shumë dëshirë të kishe edhe ti suksesin që meriton pa cënuar timin. Nëse mendon se bën më mirë, tregoje. Publikun as ta mora as ma more. Vokali im është vlerësuar nga mjeshtra të muzikës shqiptare kur isha vetëm 13 vjeç (ndërkohë, askush nuk e njihte emrin tënd).
Do të ishte më mirë të bëje diçka me vlerë, sesa të komentoje muzikën e kolegeve të tua, aq më tepër kur je artiste vetë. Paqe!"