
Aktori Derek Dixon ka ngritur një padi prej 260 milionë dollarësh ndaj producentit dhe regjisorit të njohur Tyler Perry, duke e akuzuar për sulm seksual, ngacmim dhe abuzim në vendin e punës. Padia është depozituar më 13 qershor në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë në Los Angeles.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Dixon pretendon se Perry “ka përdorur pushtetin dhe ndikimin e tij për të krijuar një marrëdhënie të pabarabartë dhe për ta shfrytëzuar seksualisht".
Aktori shpjegoi se takimi i tyre i parë ka ndodhur gjatë një aktiviteti në vitin 2019, kur Perry “e përzgjodhi nga turma” dhe i kërkoi numrin e telefonit, duke i ofruar mundësinë për një rol në film.
Dixon më pas u përfshi në dy episode të serialit “Ruthless”, pasi Perry i kishte thënë se bëhej fjalë për një rol dytësor, por që mund të zhvillohet dhe të merrte më shumë minutazh në seritë e radhës.
Një nga akuzat kryesore përqendrohet në një incident të ndodhur në janar 2020, kur Perry dyshohet se e ftoi Dixon-in në shtëpinë e tij, i shërbeu alkool dhe e bindi të qëndronte aty gjatë natës, me arsyetimin se ishte shumë i dehur për të ngarë makinën.
“Ky ishte një kurth,” thuhet në padinë zyrtare.
Më tej, Dixon pretendoi se Perry i hyri në shtrat dhe filloi ta prekte në mënyrë seksuale pa pëlqimin e tij.
Po ashtu, ai theksoi se Perry tentoi ta përdhunonte.
“Teksa po përshëndeteshim, Perry më uli të brendshmet dhe më kapi nga të pasmet,” thuhet në dokumentet gjyqësore.

Dixon ka paditur edhe “Tyler Perry Studios”, duke i akuzuar për: ngacmim seksual në këmbim të favoreve profesionale, ngacmim në vendin e punës, si dhe shfrytëzim të punonjësve.
Ndërkohë, avokati i Tyler Perry-t, Matthew Boyd, i ka mohuar në mënyrë kategorike akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Ky është një individ që iu afrua Tyler Perry-t me një histori që tani duket të jetë një mashtrim i mirëfilltë. Tyler nuk do të dorëzohet dhe jemi të bindur se këto pretendime të sajuara do të rrëzohen në gjykatë,” tha Boyd.