
Hollanda njofton paketën e armëve për Ukrainën në kuadër të iniciativës së re Trump-NATO

Hollanda është bërë vendi i parë anëtar i NATO-s që përdor iniciativën e re të aleancës për të dërguar armë amerikane në Ukrainë, duke kontribuar me 500 milionë euro për pajisje ushtarake. Kjo pas kërkesës së presidentit Trump që vendet europiane të financojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën, ndërsa SHBA-ja do të furnizojë armët.
Qindra ish-zyrtarë të sigurisë izraelite i kërkojnë Trump-it të ndihmojë në përfundimin e luftës në Gaza

Rreth 600 ish-zyrtarë të sigurisë izraelite, përfshirë ish-drejtues të Mossad dhe ushtrisë, i kanë kërkuar Donald Trump-it të ushtrojë presion mbi kryeministrin Netanyahu për të ndalur luftën në Gaza dhe për të kthyer pengjet.
Ata theksojnë se Hamasi nuk përbën më një kërcënim strategjik dhe se zgjidhja është përfundimi i konfliktit, jo zgjerimi i tij. Ndërkohë Netanyahu po shqyrton rritjen e ofensivës, pavarësisht protestave të brendshme dhe presionit ndërkombëtar për një armëpushim.
Kopshti Zoologjik i Danimarkës kërkon kafshë shtëpiake të padëshiruara për të ushqyer grabitqarët

Kopshti Zoologjik i Aalborgut në Danimarkën veriore u ka kërkuar qytetarëve të dhurojnë kafshët shtëpiake të padëshiruara, si lepuj, derra të vegjël apo pula, për t’i përdorur si ushqim për grabitqarët.
Sipas zyrtarëve, kjo ndihmon në ruajtjen e sjelljes natyrore të kafshëve mishngrënëse dhe shmang shpërdorimin e burimeve. Iniciativa ka ngjallur debate publike, mes atyre që e shohin si mënyrë natyrore të të ushqyerit dhe atyre që e kundërshtojnë përdorimin e kafshëve shtëpiake si pre.
Pakistani rifillon dëbimet me forcë të 1.4 milion refugjatëve afganë pavarësisht shqetësimeve të OKB-së

Autoritetet pakistaneze kanë rifilluar dëbimin me forcë të rreth 1.4 milionë afganëve, pasi nuk u dha zgjatje afati për qëndrimin e tyre, duke shkaktuar kritika nga UNHCR.
Në total, mbi 1.2 milionë afganë janë kthyer nga Irani dhe Pakistani këtë vit, duke rritur rrezikun për paqëndrueshmëri në Afganistanin e udhëhequr nga talebanët. Policia po ndalon refugjatët pa dokumente të vlefshme dhe po i transporton drejt kufirit, ndërsa shumë prej tyre kishin shpresuar për kohë shtesë për të zgjidhur çështjet personale.