“Fëmijët e mi kanë qenë shtëpiakë, nuk kanë dalë nga shtëpia edhe për një kafe vetëm, ose kanë qenë me mua ose me nënën. I kanë gënjyer njeri ndoshta. Nëpër rrjetet sociale, gënjehen edhe mosha të mëdha, jo vetëm fëmijët e mi,” ka thënë Hiqmet Kajtazi, babai i dy motrave 18 dhe 14 vjeç që dyshohen si autore të helmimit të prindërve të tyre dhe motrës së madhe, vjedhjen e parave e sendeve me vlerë dhe djegien e shtëpisë.
Por për babain e tyre drama vazhdon pasi përveçse ka mbetur pa shtëpi e pa para, ai ende nuk di asgjë për fatin e vajzave pasi shprehet se organet kompetente nuk po i vijnë në ndihmë.
“Një prokuror që s’pranon të më takojë. Një drejtor policie që nuk pranon të më takojë prej tre javësh. Më kanë thënë në polici ‘Do u mbarojnë lekët dhe do u vijnë’,” është shprehur ai.
Ngjarja në lagjen 15 të qytetit të Durrësit ka ndodhur më 16 korrik dhe që prej kësaj dite, nuk ka asnjë të dhënë për 18-vjeçaren Orialda Kajtazi dhe motrën e saj 14-vjeçare K. Kajtazi. Ato janë larguar nga shtëpia me 5 milion lekë, sendet e tyre personale pasaportat, kartën e identitetit të motrës së madhe dhe 4 telefona celularë.
Burimi: Shqiptarja.com