Lajmi se Ministrja Mirela Kumbaro shpërtheu në lot pas një debati me kryeministrin Rama në seancën plenare të së enjtes ishte ndoshta më i klikuari në internet, këtë javë.
Ministrja u pa të ishte në shenjestër të shpërthimit të shefit të saj, dhe më pas të ulej në vendin që i takon në parlament e të ulte kokën, duke qarë, siç raportuan disa media. Arsyet e zemërimit të kreut të qeverisë me ministren e tij nuk dihen, por kuptohet që ministrja nuk e ka mbajtur dot presionin.
Një tjetër foto e një gruaje të politikës me sytë në lot do të bënte xhiron në faqet e internetit. Majlinda Bregu, ish -ministre e Integrimit, nuk e përmbajti dot veten gjatë fjalimit që ish -shefi i saj, Sali Berisha, mbajti në konvetën e demokratëve.
Njerëz të afërm me ish -ministren thonë se ajo u prek nga fjalët që tha ish -Kryeministri, se ai nuk do të mund t’ua shpërblente demokratëve atë që ata kanë bërë në 23 vjet për të edhe sikur të kishte dy jetë. Shumëkujt prej adhuruesve të Berishës, ky u është dukur si fjalimi i vërtetë i lamtumirës, dhe jo ai i dorëheqjes së 26 qershorit të 2013 -ës. Pasi, kur foli Basha pati entuziazëm në sallë, ndërsa ai ishte me i pakët në kohën kur foli Berisha. Kjo edhe për faktin se pak nga delegatët e dinin që edhe lideri historik i së djathtës do të mbante fjalim, dhe sepse pas Bashës folën disa nga kandidatët e rinj për Këshillin Kombëtar e pas tyre, Berisha. Gjithësesi këto foto, me të ngjashmen e vetme se bëhet fjalë për dy politikane të përlotura nga shefat e tyre, na treguan këtë javë dy realitete të ndryshme. Në të parin një ministre që qan ngaqë nuk mban dot presionin e shefit të saj dhe në të dytin, një ish -qeveritare të prekur nga fjalët e ndjeshme të njeriut që e pati për 8 vjet mbi kokë, në qeveri.
Burimi: lapsi.al