
Jennifer Aniston e ka bërë të qartë se nuk mund ta imagjinojë serialin legjendar Friends pa Matthew Perry-n. Në një intervistë të fundit, aktorja tha:
“Do të ishte fjalë për fjalë, e pamundur”, duke iu referuar një rikthimi të mundshëm të serialit pa mikun dhe kolegun e tyre të dashur.
Matthew Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare, si pasojë e mbidozës së ketaminës. Para se të ndërronte jetë, ai foli për betejën e tij të gjatë me depresionin dhe varësinë.
“Është zemërthyese që iu desh të përballej me kaq shumë demonë,” tha Aniston. “Por, për dikë që luftonte kaq shumë nga brenda, ai arriti të na dhuronte kaq shumë të qeshura dhe kjo ishte gjithçka për të.”
Jennifer Aniston dhe Matthew Perry ishin pjesë e kastit të Friends, së bashku me Lisa Kudrow, Courteney Cox, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer. Seriali që ndryshoi historinë e televizionit amerikan u transmetua për 10 sezone dhe përfundoi në vitin 2004, duke krijuar fansa në mbarë botën.
“Friends më formësoi si njeri. Ishte një gëzim i pastër. Mezi prisja të shkoja në punë çdo ditë,” tregoi Aniston, duke përshkruar sa i rëndësishëm ishte ky projekt për jetën e saj personale dhe profesionale.
Sipas saj, magjia e Friends nuk qëndronte vetëm në skenar apo humor, por në lidhjen e veçantë midis aktorëve:
“Kishte diçka të rrallë në kiminë tonë, si një shkëndijë magjike e kapur në një shishe. Ishim me fat që ajo u fiksua në kamera.”
Falë platformave të transmetimit online, Friends po përjeton një ‘bum’ të ri popullariteti, ndërsa një brez i ri shikuesish po e zbulon për herë të parë.
“Shumë njerëz më thonë se shikojnë Friends për t’i ndihmuar me shëndetin mendor,” tha Aniston. “Kur ndihen të stresuar nga bota përreth tyre, thjesht ulen dhe shikojnë një episod. Dhe ky është komplimenti më i mirë që mund të marrim.”
Në vitin 2021, gjashtë miqtë u ribashkuan për një episod special, Friends: The Reunion, prodhim i HBO Max, një homazh prekës që për shumëkënd shënoi edhe paraqitjen e fundit të Matthew Perry-t në ekran.