
Një gjykatëse federale ka hedhur poshtë padinë për shpifje të Drake kundër Universal Music Group (UMG), duke vendosur se kompania “nuk mund të jetë përgjegjëse” për promovimin e këngës hit të Kendrick Lamar, “Not Like Us”.
Gjykatësja e distriktit amerikan Jeannette Vargas vendosi të enjten se teksti i këngës përfaqëson “mendim jo të dënueshëm ligjërisht” dhe për këtë arsye “nuk mund të konsiderohet shpifje”.
“Çështja në këtë rast është nëse “Not Like Us” mund të kuptohet në mënyrë të arsyeshme si një deklaratë faktike që Drake është pedofil ose se ai ka kryer marrëdhënie seksuale me të mitura”, thuhet në vendimin e gjykatës, duke shtuar: “Në dritën e kontekstit të përgjithshëm në të cilin janë bërë këto deklarata, gjykata vendos se nuk mund të perceptohet në këtë mënyrë.”
Në një deklaratë për Variety, një zëdhënës i UMG tha:
“Që në fillim, kjo padi ishte një fyerje ndaj të gjithë artistëve dhe shprehjes së tyre krijuese dhe nuk duhej të ishte bërë kurrë. Ne jemi të kënaqur me vendimin e gjykatës dhe mezi presim të vazhdojmë me sukses punën tonë për të promovuar muzikën e Drake dhe për të investuar në karrierën e tij.”
Një zëdhënës i Drake u kundërpërgjij: “Ne kemi në plan të apelojmë vendimin e sotëm dhe mezi presim që gjykata e apelit ta shqyrtojë atë”.
Beteja ligjore filloi në fillim të këtij viti, kur Drake akuzoi UMG-në se i kishte “dëmtuar reputacionin”, duke shpërndarë dhe promovuar “Not Like Us”.
Ai pretendoi se kompania kishte bërë pagesa të fshehta dhe kishte ofruar marrëveshje licencimi me çmim më të ulët për të rritur shtrirjen e këngës, me qëllim që të dëmtonte imazhin e tij dhe të ulte ndikimin e tij në negociatat kontraktuale që ishin ende në zhvillim.
Në mars, UMG kërkoi që çështja të hidhej poshtë, duke deklaruar se Drake “humbi një betejë rep-i që vetë e nisi dhe në të cilën mori pjesë me dëshirë”.
“Në vend që ta pranonte humbjen si artisti i qetë që shpesh pretendon se është, ai ka paditur shtëpinë diskografike, në një përpjekje të gabuar për të shëruar plagët e tij,” thuhej në deklaratën e UMG-së. “Ankesa e paditësit është plotësisht e pabazë dhe duhet të hidhet poshtë me paragjykim.”
Kendrick Lamar njihet gjerësisht si fituesi i “përplasjes” së madhe të vitit të kaluar me Drake, me hitin “Not Like Us”, që më pas fitoi pesë çmime Grammy, përfshirë Regjistrimin e Vitit dhe Këngën e Vitit.