
A të shkakton ankth ideja e takimeve? Nëse po, nuk je vetëm. Takimet romantike nuk janë të lehta. Frikërat që i shoqërojnë ato shpesh i shtyjnë njerëzit të tërhiqen dhe të qëndrojnë beqarë. Takimet madje pengojnë shumë persona të hedhin hapa të rëndësishëm në marrëdhënie, qoftë edhe të bien në dashuri.
Megjithatë, nëse e do vërtet dikë, nuk duhet të lejosh që frika të kontrollojë veprimet e tua. Përballja me frikën është mënyra e vetme për ta kapërcyer atë. Ja se si.
1. Frika nga situatat e sikletshme
Ndoshta të tremb ideja e afrimit me personin që pëlqen, sepse nuk di si të fillosh bisedën. Ndoshta ke frikë se mos të tallin ose se nuk do kontrollosh dot atë që do thuash.
Zgjidhja: Qetëso reagimin e trupit ndaj panikut. Praktiko frymëmarrje të ngadaltë dhe të kontrolluar; një teknikë e sugjeruar edhe nga studimet për trajtimin e ankthit. Kjo të ndihmon të qetësosh mendjen dhe zemrën. Kur të ndihesh më i/e qetë, mund të zhvillosh një bisedë normale pa ndrojtje.
2. Frika nga refuzimi
Refuzimi është i dhimbshëm dhe pasojat nuk janë të këndshme. Kjo frikë të pengon të kërkosh një takim. Mendimet negative që të shfaqen mund të përfshijnë edhe frikën se të tjerët do të të tallin nëse merr një “jo” si përgjigje.
Zgjidhja: Rrit vetëvlerësimin tënd. Vetëbesimi i ulët të bën të ndihesh keq për shprehjen e ndjenjave dhe të vështirëson përballimin e refuzimit. Kujto që jeta vazhdon edhe pas një "jo"-je. Mund ta minimizosh rrezikun duke iu afruar personave të lirë, duke provuar takime online ose duke kërkuar ndihmë nga një mik për të njohur dikë.
3. Frika nga intimiteti
Shumë njerëz kanë frikë nga intimiteti për shkak të traumave të mëparshme, por ndonjëherë edhe për shkak të bindjeve personale. Ky fenomen njihet si sarmasofobi dhe ndikon në aftësinë për të hyrë në marrëdhënie të ngushta apo fizike.
Zgjidhja: Nëse ndihesh i/e frikësuar nga intimiteti, është krejtësisht në rregull të kërkosh ndihmë profesionale. Bisedo me një mjek për metodat e kontracepsionit nëse nuk je gati për shtatzëni. Nëse ke bindje të forta rreth marrëdhënieve intime dhe partneri yt nuk i respekton, ndoshta është më mirë të presësh deri në martesë. Afrohu emocionalisht me partnerin dhe fillo të largosh barrierat mendore që ke ndërtuar.
4. Frika nga angazhimi
Frika nga përgjegjësia ndaj nevojave të dikujt tjetër mund të të shtyjë të shmangësh lidhjet. Mund të mos i besosh gjykimit tënd për personin që të pëlqen.
Zgjidhja: Hape zemrën dhe ndaji këto mendime me partnerin/en. Prano që nëse nuk rrezikon për dashurinë, mund të mbetesh vetëm. Lëre frikën pas dhe përkushtohu ndaj dikujt me të cilin/ën ndihesh i/e lidhur emocionalisht.
5. Frika nga braktisja
Disa njerëz shmangin takimet për shkak të frikës se çfarë mund të ndodhë më vonë. Këto pasiguri i pengojnë të nisin një marrëdhënie. Për shembull, gratë që kërkojnë lidhje afatgjatë mund të shmangin takimet e para vetëm nga frika se “nuk do të funksionojë”.
Zgjidhja: Prano që askush nuk e parashikon dot të ardhmen. Bëj pjesën tënde për të mbajtur marrëdhënien gjallë dhe lëre pjesën tjetër të ndodhë natyrshëm. Bisedo për frikërat me një person të besueshëm. Nëse problemi është më i thellë, merr parasysh ndihmën e një terapisti.
6. Frika nga miti i “shpirtit binjak”
Miti që ekziston vetëm një “shpirt binjak” e pengon shumëkënd të hyjë në një lidhje. Mund të kesh frikë se personi që pëlqen nuk është i/e duhuri/a. Ose mund të kesh frikë se do bësh ndonjë gabim që do e largojë “të duhurin/ën”.
Zgjidhja: Siç thotë psikologu Dr. Michael Arn, harroje mitin. Ka shumë persona të përshtatshëm për ty. Por për t’i njohur ata, duhet të fillosh të dalësh në takime.
Mos lejo që frikërat të të privojnë nga një jetë e plotë. Ato të vjedhin mundësinë për lumturi dhe të çojnë në një rrugë vetëkritike që nuk është e shëndetshme. Kujto: frikërat janë thjesht frikë. Përballu me to dhe përdor këto këshilla për t’i kapërcyer që të fillosh të takohesh dhe të dashurosh pa ndrojtje. :)