
Nëse arrin të përdorësh këto taktika për të përballuar prindërit manipulues, ke ndërtuar një forcë që shumë të rritur nuk e arrijnë kurrë.
Kur jemi të vegjël, prindërit tanë janë figura të pagabueshme. Por ndërsa rritemi, kjo marrëdhënie ndryshon natyrshëm dhe roli që prindërit luajnë në jetën tonë transformohet gjithashtu. Në shumicën e rasteve, ky është një zhvillim i shëndetshëm. Por ndodh që marrëdhënia jo vetëm që nuk ndryshon, por përkeqësohet gjithnjë e më shumë.
Disa prindër nuk arrijnë ta lëshojnë kontrollin ndaj fëmijëve të tyre të rritur. Për ta mbajtur këtë kontroll, mund të sillen vazhdimisht si viktima, të përjashtojnë partnerët e fëmijëve të tyre, t’i fajësojnë fëmijët për gjithçka që u shkon keq në jetë, ose të vendosin kushte për dashurinë që japin.
Nëse i njeh këto 6 mënyra për t’i ndalur prindërit manipulues, je më i/e fortë se shumica e të rriturve:
1. Përcakto qëllimin e tyre
Kur ke të bësh me një prind apo vjehërr që të frustron, është shumë e lehtë të besosh se çdo kërkesë që ata bëjnë vjen nga një vend manipulimi emocional. Dhe ndoshta është ashtu, por është e rëndësishme të ushtroni empati dhe të vlerësoni të gjithë situatën.
A po të kërkon vjehrra diçka thjesht sepse do të bëhet sipas mënyrës së saj, apo sepse do të kalojë kohë me ty? A po përpiqet babai yt të të detyrojë të bësh diçka, apo thjesht ndihet i vetmuar?
Psikologia Toni Falcone shpjegon:
“Përcaktoje këtë duke parë të gjithë historinë, jo vetëm fjalët që thuhen apo situatën e momentit. A janë respektuar kufijtë më parë apo janë shkelur? A tregon interes për jetën tënde, apo është i/e përqendruar vetëm te vetja?”
Këto pyetje ndihmojnë për të kuptuar më mirë prindërit dhe për të mos e përdorur fjalën "manipulim" më shpesh seç duhet.
2. Vendos kufij
Prindërit manipulues nuk ndalen derisa të marrin atë që duan. Ata dinë si të godasin pikat e dobëta derisa personi përballë të dorëzohet.
Që kjo të mos ndodhë, vendos kufij të qartë që në fillim dhe mos lejo që të t’i thyejnë. Mos i lejo të të bëjnë të ndihesh në faj për kufijtë që ke vendosur për mirëqenien tënde.
Falcone shton:
“Nëse duhet të largohesh në orën 21:00, beso në vendimin tënd dhe dije pse po e bën. Kjo do të ndihmojë ta komunikosh qartë dhe ta mbrosh kufirin kur manipulimi rritet.”
Manipulimi është një stil prindërimi shumë ndërhyrës, që kërkimet tregojnë se sjell pasoja negative në zhvillimin e fëmijëve. Prindërit manipulues shpesh kalojnë kufijtë emocionalë, mendorë dhe fizikë, duke i bërë fëmijët të ndihen të pavlerë dhe të padëgjuar.
3. Bëj pyetje
Kur prindërit përdorin fajin apo turpin si mjet për të të detyruar të veprosh siç duan ata ("Nëse më do, do vish të më ndihmosh"), është koha të bësh pyetje.
Për çfarë kanë realisht nevojë? A është urgjente? A mund të presë? Mos ki frikë të tregohesh skeptik/e, sidomos nëse ky është një model i përsëritur sjelljeje.
Falcone thekson rëndësinë e kësaj:
“Duke verifikuar faktet, mund të kuptosh shpejt nëse informacioni është i mangët apo i shtrembëruar. Kjo të lejon të marrësh një vendim të bazuar në realitet dhe të ruash kontrollin.”
4. Dëgjo trupin tënd
Manipulimi emocional është lodhës dhe rraskapitës, sidomos kur ke vite që përballesh me të. Edhe pa e kuptuar, sjellja e një prindi apo vjehrri manipulues mund të ketë ndikim të fortë në mirëqenien tënde.
Falcone thotë:
“Nëse ndihesh i/e lodhur, i/e trishtuar, dyshon te vetja apo ndihesh keq pas një takimi me këtë person, ka shumë gjasa që marrëdhënia të jetë e pashëndetshme apo toksike.”
Trupi yt mund të të sinjalizojë rrezikun përpara se mendja ta kuptojë. Kërkimet tregojnë se abuzimi emocional dhe stresi lidhen drejtpërdrejt me shëndetin fizik.
5. Kërko ndihmë
Të kesh dikë që të mbështet, qoftë bashkëshort, motër/vëlla, mik i afërt, mund të bëjë ndryshim të madh kur përballesh me prindër ose vjehërr manipulues.
Falcone sugjeron:
“Të kesh një person që të ndihmon të mbash kufijtë është shumë e dobishme.”
Por ajo paralajmëron:
“Kujdes që ky proces të mos kthehet në thashetheme apo përjashtim të tjetrit nga familja.”
6. Hidhi mendimet në letër
Kur ndodhesh në mes të një situate manipulimi emocional, ndjenjat bëhen të ngatërruara dhe të vështira për t’u përpunuar. Prandaj, merr një ditar dhe shkruaj gjithçka që ndjen. Shkruaj çfarë ndodhi, si u ndjeve dhe çfarë ndikimi pati kjo sjellje tek ti.
Falcone sugjeron që ky proces të shërbejë edhe për reflektim:
“Çfarë ndikimi ka kjo sjellje e përsëritur në marrëdhënien tuaj? Mendoni që më vonë të keni një bisedë të sinqertë me familjarin.”
Manipulimi nga prindërit mund të lërë pasoja të thella: vetëvlerësim të ulët, turp, zemërim e ndjenja fajësie. Ironikisht, pikërisht ndjenjat e fajit dhe turpit janë mjetet kryesore të manipulimit.
Shpesh, fëmijët e rritur nga prindër manipulues përthithin mesazhe të brendshme negative: se nuk vlejnë, nuk mjaftojnë, apo nuk meritojnë dashuri. Shkrimi mund të ndihmojë për të zëvendësuar këto zëra me mendime më të dashura për veten.
Psikologia Carla Marie Manly shton:
“Kur një person emocionalisht i qëndrueshëm ndjen zemërim, bezdi apo mungesë respekti pas një ndërveprimi, kjo shpesh është shenjë se ka ndodhur manipulim.”