
Të thuash “jo” është si të shpalosësh pavarësinë tënde, por për shumë prej nesh, kjo fjalë e vogël vjen me shumë stres, ndrojtje dhe ndjenjën e fajit. Edhe pse kultura e ka trajtuar si të vrazhdë apo egoiste, në të vërtetë, të thuash “jo” është një nga gjestet më të ndershme që mund të bësh për veten.
Të thuash “jo” do të thotë të respektosh kohën tënde, energjinë tënde dhe nevojat e tua emocionale. Dhe njerëzit me vetëbesim të lartë e bëjnë këtë pa u ndjerë në faj, sepse e dinë se kjo është mënyra e vetme për të qëndruar të ekuilibruar.
Nëse ndihesh në siklet sa herë që duhet të refuzosh dikë, provo këto 10 mënyra të sjellshme për të thënë “jo”, të gjitha të mbështetura nga psikologjia dhe thuaji lamtumirë ndjesisë së fajit!
1. Zbulo nga vjen ndjesia jote e fajit
Je ti që ndihesh në faj apo dikush tjetër po të bën të ndihesh kështu? A të duken të arsyeshme kërkesat që po të bëhen apo janë thjesht manipulime të mbështjella me fjalë të ëmbla? Nëse të tjerët ofendohen kur ti vendos kufij, problemi s’është te “jo”-ja jote, është tek ata. Dhe ndoshta është koha të vendosësh ca distanca.
2. Kupto që “jo”-ja është një dhuratë
Kur i thua “jo” dikujt, në të vërtetë po i thua “po” vetes. Po i jep hapësirë gjërave që kanë më shumë rëndësi për ty. Koha jote është e çmuar dhe të mos e shpërdorosh për të kënaqur kërkesa të tjera është një akt dashurie ndaj vetes.
3. Ndalo së krahasuari veten me të tjerët
Vetëm sepse dikush tjetër thotë gjithmonë “po”, nuk do të thotë që duhet ta bësh edhe ti. Të gjithë kemi ritmin, prioritetet dhe limitet tona. Sa më shpejt ta kuptosh këtë, aq më të lehtë do ta kesh të mos krahasosh veten dhe të mos ndihesh keq kur vendos ndryshe.
4. Kujdesu për veten
Nëse po thua “jo” sepse ndihesh i/e lodhur, sfilitur apo thjesht nuk ke kapacitetin emocional të përballesh me një situatë, është plotësisht e justifikuar. Nuk je makinë. Nëse nuk i dëgjon nevojat e trupit dhe mendjes tënde, s’është dikush tjetër që do ta bëjë për ty.
5. Shiko gjithçka në një panoramë më të gjerë
Ndonjëherë njerëzit mërziten kur u thua “jo”, por mos u nxito të mendosh se problemi është tek ti. Ndoshta kanë pritshmëri të larta ose po përjetojnë diçka që s’ka të bëjë fare me ty. Reflektimi dhe ndonjë bisedë me miq të besuar ndihmon gjithmonë.
6. Ji i/e arsyeshëm/me
Të thuash “jo” nuk do të thotë të jesh i/e prerë apo i/e ashpër. Mund të refuzosh me butësi, ta shpjegosh me qetësi dhe të ruash respektin për tjetrin duke respektuar dhe veten. Kufijtë nuk janë mure, janë ura të ndërtuara me ndjeshmëri.
7. Ji i/e vendosur, por jo kokëfortë
Të thuash “jo” kërkon praktikë. Ndonjëherë, themi “po” nga frika, jo nga dëshira. Mëso të thuash “jo” me qëllim, pa frikë nga reagimi i tjetrit. Forca nuk qëndron te zëri i lartë, por te qetësia kur flet për veten.
8. Ji i/e sinqertë, jo i/e ashpër
Nuk është nevoja të përdorësh “jo”-në si mjet ndëshkimi. Nëse je i/e sinqertë dhe i/e ndjeshëm/me në komunikimin tënd, të tjerët do e kuptojnë që nuk po refuzon personin, por kërkesën. Dhe kjo bën gjithë diferencën.
9. Fale veten
Ndonjëherë do thuash “po” kur nuk do. Do kesh ndjesi faji, do mendosh “pse e bëra?”. Por ndëshkimi i vetes nuk të çon askund. Fale veten dhe mëso nga ajo që ndodhi. Askush nuk është i përsosur, as ti, as pala tjetër.
10. Thuaji “po” vetes
Mëso t'i thuash “po” gjërave që të mbushin, që të sjellin gëzim dhe qetësi. Sa më shumë ta ushqesh këtë lidhje me veten, aq më pak do ndjesh nevojën për të kënaqur të tjerët me kosto personale. “Jo”-ja e drejtë është “po”-ja më e rëndësishme për veten.
Burimi: Your Tango