
Steve Jobs njihej për krijimtarinë e jashtëzakonshme dhe mënyrën e të menduarit jashtë kornizave. Një nga thëniet e tij më të famshme është:
“Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është duke e shpikur atë.”
Shumica e njerëzve ia atribuojnë krijimtarinë e Steve Jobs-it talentit ose intuitës. Por ka një element që shfaqet vazhdimisht në jetën e tij: ecja. Si studiuese e trurit dhe e mekanizmave që qëndrojnë pas krijimtarisë, jam e bindur se shëtitjet e tij kanë luajtur një rol të madh në procesin e tij krijues.

Ecja ishte pjesë thelbësore e jetës së Steve Jobs-it
Xhobs ishte i njohur për rregullin e 10 minutave: sa herë që ngecej në një problem për më shumë se 10 minuta, largohej nga tavolina e punës dhe dilte për një shëtitje. Edhe takimet e tij shpesh nuk zhvilloheshin ulur, por duke ecur, si biseda në lëvizje.
Shkenca moderne e psikologjisë dhe e trurit e mbështet plotësisht këtë qasje: ecja nuk është vetëm e shëndetshme, por rrit krijimtarinë, ndërsa ecja me një person tjetër forcon lidhjen mes njerëzve. Ja pse.
Ecja rrit krijimtarinë
Studimet bashkëkohore tregojnë se strategjia e Steve Jobs-it për t’u ngritur dhe për të ecur kur nuk i vinte zgjidhja ishte shumë e zgjuar. Krijimtaria mbështetet në bashkëveprimin e tre sistemeve kryesore të trurit:
Rrjeti i gjendjes së lirë: aktivizohet kur je i relaksuar, ëndërron me sy hapur ose mendja endet. Ndihmon në krijimin e ideve të reja dhe lidhjeve të reja mes tyre.
Rrjeti drejtues: lidhet me funksione më të larta mendore si arsyetimi logjik, planifikimi dhe marrja e vendimeve. Kërkon përqendrim dhe kontroll.
Rrjeti i rëndësisë: ndihmon në kalimin nga një rrjet tek tjetri dhe filtron informacionin, duke vendosur çfarë bëhet e vetëdijshme dhe çfarë jo.
Në metodën e Jobs-it, ai fillimisht aktivizonte rrjetin drejtues duke analizuar problemin për rreth 10 minuta. Kjo i lejonte të kuptonte detajet dhe të mblidhte informacionin e nevojshëm, duke krijuar bazën për krijimtarinë.
Më pas, ai dilte për shëtitje. Kjo bënte që rrjeti i rëndësisë të zbehte kontrollin e rrjetit drejtues dhe të aktivizonte rrjetin e gjendjes së lirë, duke lejuar një rrjedhë më të lirë idesh. Shkencëtarët e quajnë këtë një “gjendje të shkëputur”, ideale për zbulime krijuese spontane.
Një studim i Universitetit të Stenfordit tregoi se njerëzit që ecnin prodhonin më shumë ide krijuese sesa ata që rrinin ulur, kur u kërkohej të gjenin përdorime të pazakonta për objekte të zakonshme. Rrjeti drejtues rikthehet më vonë, për të vlerësuar dhe përzgjedhur idetë më të mira.

Pa e ditur shkencën pas kësaj metode, Steve Jobs po bënte gjithçka siç duhet për të arritur kulmin e krijimtarisë. Ai krijoi produkte aq revolucionare, sa njerëzit as nuk mund t’i imagjinonin. Siç thoshte vetë:
“Disa thonë: ‘Jepu klientëve atë që duan.’ Por kjo nuk është qasja ime. Detyra jonë është të kuptojmë çfarë do të duan ata, para se ta dinë edhe vetë.”
Ecja së bashku forcon lidhjen mes njerëzve
Jobs nuk ecte gjithmonë vetëm. Ai preferonte bisedat duke ecur. “Një shëtitje e gjatë ishte mënyra e tij e parapëlqyer për biseda serioze,” ka thënë biografi i tij, Walter Isaacson.

Përveç nxitjes së krijimtarisë, ecja me një person tjetër rrit ndjenjën e afërsisë. Në një studim, çifte njerëzish që nuk njiheshin më parë dolën për një shëtitje së bashku. Ata jo vetëm sinkronizuan hapin, por edhe e vlerësuan njëri-tjetrin më pozitivisht pas shëtitjes, edhe kur nuk u lejohej të flisnin. Ndërkohë, çifte të tjera që thjesht qëndronin ulur në të njëjtën hapësirë nuk treguan të njëjtin efekt.
Pra, çelësi ishte ecja së bashku, jo thjesht ndarja e të njëjtit ambient. Jobs-i e kuptonte fuqinë e kësaj, si për biseda serioze, ashtu edhe për shkëmbim idesh në heshtje.
Jony Ive, ish-drejtues i dizajnit në Apple dhe një nga miqtë më të afërt të Jobs-it, ka thënë:
“Të folurit shpesh pengon të dëgjuarin dhe të menduarin. Ndoshta për këtë arsye, një pjesë e madhe e kohës sonë kalonte duke ecur në heshtje.”

Studimet tregojnë vazhdimisht se njerëzit që lëvizin në të njëjtin ritëm krijojnë lidhje më të forta, edhe pa folur. Shëtitjet e shpeshta së bashku, shumë prej tyre në heshtje, mund të shpjegojnë lidhjen e jashtëzakonshme mes Jobs-it dhe Ive-it.
Shëtitjet nuk e shpjegojnë plotësisht gjenialitetin e tij, por kanë kontribuar ndjeshëm në të. Edhe mendje të tjera të mëdha, si Friedrich Nietzsche apo Immanuel Kant, njiheshin për shëtitjet e rregullta.
“Të gjitha mendimet vërtet të mëdha lindin duke ecur.” - Friedrich Nietzsche
Herën tjetër që ndihesh i bllokuar nga një problem, provo të dalësh për një shëtitje. Ka shumë gjasa të të vijë një ide e mirë.