Është një "tmerr" i vërtetë të shohësh një film shqiptar. Isha në premieren e filmit "TIRANA ‘14". Megjithë respektin për punën e bërë, dua të them përshtypjen e krijuar, pasi pashë gati dy orë film, me një subjekt pa subjekt.
Nga filmi mëson se ngjarjet zhvillohen në Kryeqytetin Shqiptar dhe shkëpusin realitetin social-seksual, sipas te cilit kurvëria është një normalitet dhe standard i shoqërisë, i përhapur në familje, punë, në çifte të reja por dhe në ato të konsoliduara, të kurorëzuara e të pakurorëzuara. Po kështu nga filmi kupton se homoseksualiteti, nuk është një tabu, por një realitet i zakonshëm këtu në Tiranë. Edhe tentativa për t'i ironizuar dhe mveshur me sarkazmë ngjarjet nuk e justifikon logjikën e skenarit. Kjo përsa i përket subjektit të filmit që ka një kontekst të përciptë.
Ndërsa doja të veçoja e të ndalesha pak te loja aktoriale. Nuk e di pse gjithmonë impostimi i aktorëve në produksionet kinematografike shqiptare, duke tentuar realitetin, krijon një falsitet aktorial të paparë. Dialogë dhe marrëdhënie që nuk i gjen kërkund në jetën e përditshme, episode skematike erotike falso që ta shpifin fare, në një lojë totalisht të dobët aktoriale.
Filmi me shumë rrekej t'u bënte qokën sponsorëve aq trashë sa herë-herë pasazhet filmike ngjanin si spote promocionale televizive. Diku ndërsa dëgjoje kolonën zanore muzikore e shikoje pamjet, të dukej sikur nuk po shihje një film në kinema, por një videoklip nga këta alla-BBF.
Tentova ta shoh një moment këtë produkt si lloj të komedisë komerciale amerikane, por s'më dilte llogaria. Pastaj iu ktheva tentativës për ta parë si film që fliste me zhargonin e ditës në Shqiperi, por as këtë se gjeta, sepse ishte nje tentativë e ndrydhur dhe për rrjedhojë, edhe e thatë për të folur me mënyrën, batutat e zhargonin e rrugës.
Nëse kishte diçka origjinale dhe të besueshme në këtë film ishte vetëm pjesëmarrja si protagonistë kryesorë e dy çifteve të aktorëve, bashkëshortë në jetën reale dhe çifti i regjisorit dhe bashkëshortes së tij producente. Në mbyllje, s'mund të lë pa specifikuar dhe një detaj, që më vrau disi veshin e që lidhej me çiftin regjisor-producente. Gjatë komenteve dhe përshkrimit të tyre paraprak për spektatorët vura re që nuk thonin film… por filëm ose …ky filëm! Dhe vërtetë “TIRANA 2014”, nuk ishte një film, por ishte një filëm, gjithnjë parë me syrin e një spektatori të thjeshtë e jo të një kineasti. Kritikat në rastin e dytë ndoshta do të ishin akoma dhe më të forta besoj...!