
Më 18 shtator 2025 qarkulloi kudo lajmi se “Jimmy Kimmel Live!” ishte pezulluar nga transmetimi në ABC, pas më shumë se dy dekadave, për shkak të komenteve “të pahijshme”, pas vrasjes në një atentat të Charlie Kirk, aktivist ekstremist i djathtë dhe mbështetës i Donald Trump.
Sinclair, kompania mediatike që operon si grupi më i madh i filialeve të ABC, ka publikuar një listë kërkesash në mënyrë që talk show i mbrëmjes t’i rikthehet transmetimit.
“Sinclair nuk do ta heqë pezullimin e “Jimmy Kimmel Live!” nga stacionet tona derisa të mbahen bisedime zyrtare me ABC, lidhur me angazhimin e rrjetit për profesionalizëm dhe përgjegjshmëri,” thuhet në një njoftim për shtyp të lëshuar të mërkurën (17 shtator).
Gjiganti i televizionit lokal kërkoi nga vetë moderatori Jimmy Kimmel që:
- T'i kërkojë falje publike familjes Kirk.
- Të bëjë një donacion domethënës për familjen Kirk dhe për “Turnin Point USA”.
Megjithatë, një burim anonim tha për “Deadline” se Jimmy nuk do ta përmbushë asnjë nga këto kërkesa. Gjithashtu, raportohet se moderatori, 57 vjeç, mësoi se programi i tij ishte pezulluar përmes një telefonate gjatë pasdites së 17 shtatorit.
Nënkryetari i Sinclair, Jason Smith, e dënoi si deklaratën e Jimmy Kimmel si “të papërshtatshme dhe thellësisht të pandjeshme në një moment kritik për vendin”.
Komisioneri i Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC), Brendan Carr, tha gjithashtu në podkastin “The Benny Show” të mërkurën: “Kur dëgjon deklaratën e Jimmy Kimmel, mendon se është nga sjelljet më të sëmura të mundshme.”
Sinclair njoftoi të mërkurën se do të ndërpresë pa afat transmetimin e “Jimmy Kimmel Live!” dhe më pas edhe vetë ABC vendosi të pezullojë prodhimin e programit, çka sipas burimeve, solli edhe “tërbimin” e Jimmy Kimmel.
Deklarata që i solli kaq shumë telashe Jimmy Kimmel:
Gjatë monologut të së hënës, më pak se një javë pasi Charlie Kirk u qëllua për vdekje gjatë një turneu në Utah, Jimmy Kimmel tha:
“Prekëm disa nivele të reja të fundit këtë fundjavë, me bandën e “Make America Great Again” (“MAGA”), që përpiqet të paraqiste djalin që vrau Charlie Kirk si një tjetër person dhe duke bërë gjithçka për të përfituar politikisht nga kjo”.
Më tej, Jimmy u shpreh se shumë po punonin për të përfituar nga vrasja e Charlie Kirk, ndërsa akuzoi drejtpërdrejt zëvendëspresidentin JD Vance se po fajësonte lëvizjen e majtë, pa pasur asnjë provë, referuar deklaratës së tij nga Shtëpia e Bardhë:
“Ndërsa në anën tonë (e djathta) ka padyshim disa të çmendur, është fakt statistikor që shumica e të çmendurve në politikën amerikane sot janë anëtarë krenarë të së majtës ekstreme,” tha Vance.
“Dhe me ‘fakt statistikor’, ai nënkupton ‘marrëzi absolute’,” tha Jimmy Kimmel, duke cituar një studim që tregonte se grupet e ekstremit të djathtë ishin burimi më i madh i terrorizmit të brendshëm dhe dhunës ekstremiste në SHBA. Departamenti i Drejtësisë e ka hequr studimin nga faqja e tij zyrtare.
Andrew Alford, presidenti i divizionit të transmetimeve në Nexstar, i quajti komentet e Jimmy Kimmel “ofenduese dhe të pandjeshme në një moment kritik të debatit politik kombëtar”.
“Vazhdimi i dhënies së një platforme transmetimi për z. Kimmel në komunitetet që ne shërbejmë, thjesht nuk është në interesin publik për momentin dhe ne kemi marrë vendimin e vështirë për të pezulluar emisionin e tij me shpresën që mendimet racionale të mbizotërojnë ndërsa shkojmë drejt rifillimit të një dialogu respektues e konstruktiv,” tha Alford.